Berisha paralajmëron Bashën? I dërgon mesazh të koduar

326
Sigal

Reforma Zgjedhore ka marrë vëmendje të madhe kohët e fundit, ku pas përfshirjes së fortë të ndërkombëtarëve, duket se palët po shkojnë drejt një marrëveshje politike.

Mbrëmjen e djeshme, Këshilli Politik, ku pjesë e saj janë Oerd Bylykbashi i PD-së, Petrit Vasili i LSI, Rudina Hajdari nga opozita parlamentare dhe Damian Gjiknuri nga PS, diskutuan deri vonë për ndryshimet që do të bëhen.

E ndërsa, pak ditë më parë, Basha në krah të ambasadores së SHBA shprehu gatishmërinë për të çuar përpara Reformën Zgjedhore, duke se lideri historik i PD-së, Sali Berisha është skeptik për një marrëveshje me PS.

Teksa Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore ishte në mbledhje, Berisha ka publikuar në rrjetin e tij social në Facebook një fotomontazh të Gjiknurit me një kuti votimi në dorë dhe në sfond duken rrënojat e Teatrit Kombëtar.

Fotoja e publikuar nga Berisha, duket se më shumë është një mesazh për Bashën, për t’i thënë se nuk mund të ketë marrëveshje politike me Gjiknurin, ndaj të cilit opozita ka ngritur akuza të forta për vjedhje votosh.

Sinjali i Berishës ndaj Bashës, është edhe një mesazh që ai të ketë kujdes në këtë marrëveshje që po bën me PS, sepse nga marrëveshja e fundit e 2017 mes atij dhe Ramës, është lënë të kuptohet se ka humbur PD.

Madje ka qenë vetë Basha, i cili jo rrallëherë ka deklaruar se marrëveshja e arritur me 17 maji të 2017, nuk ishte ajo e duhura për opozitën.

Megjithatë, duke parë që fokusi kryesore i ambasadorëve është te Reforma Zgjedhore, duket se palët do të arrijnë në një marrëveshje.

Mbetet për t’u parë nëse marrëveshje mes Opozitës dhe Mazhorancës do të marrë edhe ‘bekimin’ e liderit historik të PD-së, Sali Berishës.