Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi këtë fillim javë se Buxheti i vitit 2025 injoron dhe diskriminon qytetarët e kryesisht pensionistët.
Lideri i opozitës theksoi se, edhe investimet që bëhen me këtë buxhet, janë njësoj si ato që bëheshin në diktaturë, ku ndërtoheshin bunkerë e tunele, pa asnjë lloj fitimi dhe kostot fryhen me 10 fish.
Kryedemokrati u shpreh se ky buxhet parashikon zero rritje pagash dhe injoron totalisht shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe biznesin.
Lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi buxhetin e 2025, si buxhetin që injoron qytetarët dhe i shërben vjedhjeve të qeveritarëve.
Në konferencën për mediat, Berisha duke iu referuar shifrave, akuzoi mazhorancën socialiste se do t’i çojë paratë e buxhetit te punët publike, për shkak të çmimeve të fryra dhe lehtësirave për të vjedhur.
Duke i krahasuar me pensionet e vitit 2013, Berisha denoncoi praktikën e ndjekur nga Rama i cili ka caktuar vetëm 16 mln euro për rreth 800 mijë pensionistë.
Në analizën e buxhetit të 2025, Berisha tregoi se nuk ka rritje të pagave dhe disa sektorë dhe shtresa të shoqërisë janë lënë jashtë vëmendjes së duhur.
Sali Berisha bëri me dije se opozita do të dorëzoje 2 amendamente, ku një prej tyre do të jetë ai për minimumin jetiki 200 euro.
Kreu demokrat premtoi se me ardhjen e opozitës në pushtet rroga minimale do të jetë 500 euro, ndërsa disa prej pagave të larta mund të proporcionohen.