Berisha: Basha shau demokratët, përdori fjalë që përdorin kundërshtarët rrugeçër

185
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha në Foltoren e Devollit, foli për faktin se Lulzim Basha ka përdorur fjalë fyese ndaj demokratëve.

Berisha theksoi se Basha shau demokratët, duke shtuar se përdori fjalë, që i thonë vetëm kundërshtarët rrugeçër.

Po ashtu, Berisha vlerësoi se në fakt, njerëzit që punuan në qeverisjen e PD-së arritën rekord që kurrë nuk ishin arritur më parë.

“Basha shau demokratët, përdori fjalë që përdorin kundërshtarët rrugeçër. Tha gjëra edhe për qeverisjen e mëparshme. Qeverisja e mëparshme kishte një gjë kryesore, e kjo ishte se në qendër ishte qytetari, sepse ne dyfishuam rrogat, pensionet, ne bëmë përpjekjet më të mëdha që të ngremë infrastrukturë të përshtatshme jo vetëm në qytete, por kudo që nuk kishte rrugë.

Ne ndoqëm parimin që në çdo fshat të kishte infrastrukturë të një lagjeje qyteti, ndërtuam kanalizime, ujësjellësa, që të ketë kudo internet. Ne financuam 45 mijë fermerë dhe ishte projekti më pa ankesa që kishte qeveria. Qëllimi ynë ishte përmirësimi i jetës tuaj. T’i cilësosh të tjerët llum, në një kohë që ka gjithë këta rekorde pozitive, duhet të flasësh se ku je ti. Ata që bashkëpunuan, ishin njerëz që transformuan vendin, mund të kenë bërë gabime, por në tërësi u punua shumë mirë dhe Shqipëria bëri përparime të mëdha”, deklaroi Berisha.