Berisha: Arsimi do jetë çështja më serioze e programit të PD! Rrogat e mësuesve do shkojnë drejt 3-fishimit

14
Sigal

Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se arsimi do të jetë çështja më serioze e programit të Partisë Demokratike.

Në protestën maratonë që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’ në mbështetje të liderit të opozitës, Berisha premtoi se me ardhjen e PD në pushtet, rrogat e mësuesve do të shkojnë drejt 3-fishimit.

Berisha: Ndaj dhe sot, unë kam një thirrje për çdo mësuese dhe mësues: mos harroni se para se të jeni profesionistë, jeni misionarë të të vërtetave.

Silluni si misionarë të të vërtetave.

Merrni guxim nga këta kolege dhe kolegë tuaj që vijnë këtu dhe flasin në emër tuaj, mbrojnë dinjitetin e tyre, mbrojnë dinjitetin tuaj.

Shndërrohuni në misionarë të betejës kundër kësaj të keqe të madhe që ka pllakosur Shqipërinë.

Kundër këtij regjimi që solli arsimin tonë të kremtojë këtë ditë me flamurin në gjysmë shtizë.

Ngrihuni, qëndroni për vlerat që kanë mbajtur shoqërinë njerëzore në shekuj dhe mijëvjeçarë.

Mos pranoni kafshëritë që duan t’u diktojnë për t’u injektuar fëmijëve tanë.

Mos pranoni të shkelmoni vlerat e qytetërimit, familjen, atdheun dhe frymëzimin e tyre me të vërtetat e mëdha.

Thirrja ime për çdo mësuese dhe mësuese, në emër të interesave të nxënëseve dhe nxënësve tuaj, studenteve dhe studentëve tuaj, angazhohuni me ne në betejën pa kthim dhe ju garantoj ju se përsëri për PD, arsimi do jetë çështja më serioze e programit të saj.

Përsëri mësuesi do vendoset në piedestalin që meriton.

Përsëri investimet për arsimin do të dy dhe trefishohen.

Të parat rroga që do dyfishohen dhe do ecin drejt trefishimit, do jenë rrogat tuaja, rrogat e mësuesve.

Se shkolla do jetë model në çdo lloj aspekti dhe se programet tuaja do jenë programet e të ardhmes së vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

O sot o kurrë, është koha juaj mësuese dhe mësues, të mos pajtohemi më tej me këtë të keqe të madhe, me këtë plagë të tmerrshme që rrjedh çdo ditë, por të bashkohemi dhe t’i japim atë që meriton kësaj bande pa ligj, pa moral njerëzor, që po shkatërron arsimin dhe çdo gjë në këtë vend.

Edhe njëherë, ju falënderoj shumë.

Përshëndes mësueset dhe mësuesit tanë, i ftoj ata të ngrihen me guxim, të ngrihen krenarë për të ardhmen e nxënësve të tyre, fëmijëve të tyre, të ardhmen e Shqipërisë.

Rrofshi ju, nderim mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë, nxënësve dhe studentëve tanë.

Fitore, fitore, fitore!