Beqja e Tahiri, u përzunë për zullumet me koncesionet dhe drogën, pasi mbaruan biznesin ekonomik, do merren me programin politik

543
Vjollca KUTA
Çadra prej doku e PD, trondit “kullën” prej mermeri të “Rilindjes”, 4 ministra largohen si “bedelë” për të qetësuar opozitën 
Kryeministri Edi Rama, u detyrua të “dorëzojë” katër prej ministrave të “Rilindjes”, dy prej të cilëve, konkretisht (ish)ministrat Saimir Tahiri e Ilir Beqja, deri 48 orë më parë i quajti “model suksesi dhe gladiatorë të papajtueshëm me krimin e korrupsionin”. Ditën e shtunë, ministri Tahiri shtroi banketin e fundit si ministër me 12 drejtorët e policive të qarqeve të vendit dhe me disa “sillo” që i ka mbajtur përherë në me vete në këto 32 muaj si ministër, moment që u shoqërua edhe nga vizitat “ngushëlluese” të 5 ministrave manekinë të “Rilindjes” të bëra në zyrën e tij, jo sikur po ikte nga posti ministror një “ikonë” e korrupsionit dhe lejimit e ushtrimit të biznes-krimit të drogës, por sikur Tahiri kishte dalë nga spitali! Ndërsa ministri Ilir Beqja e mbylli karrierë-biznesin si ministër Shëndetësie, duke prezantuar tenderin e fundit në një spital qendror në Tiranë, me vlerë 8 miliardë lekë! Ndërsa dy ministrat e tjerë, Çuçi e Klosi, u bënë “bedelë” të ankthit të kryeministrit prej çadrës së opozitës, sa për ta qetësuar atë që ta mbledhë çadrën e të nisë aktivitetin në parlament, mbasi prej 24 ditësh, po qëndron brenda saj, përballë hyrjes së kryeministrisë! Dy ministrat e shkarkuar, ai i uniformave “blu” Saimir Tahiri dhe ai i “bluzave të bardha” Ilir Beqja, paçka se kryeministri edhe dje në komunikimin me publikun në rrjetet sociale, u përdrodh, duke deklaruar se “katër ministrat u spostuan nga postet ministrore, mbasi do të marrin poste politike në parti për zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve të 18 qershorit 2017”, faktikisht Beqja dhe Tahiri u përzunë jo prej kryeministrit Rama, por prej presionit të ndërkombëtarëve, të cilët u bindën totalisht se këta dy ministra ishin “biznes-modeli” i krimit të drogës dhe korrupsionit me koncesionet hajdutërore të 60% të fondeve publike! Nëse flasim për zullume ka edhe 1 apo 2 ministra të tjerë “skutha e aligatorë” korrupsioni, të cilët po bëjnë kërdinë me financat kombëtare! Tashmë këta ministra, në vend që të çohen përpara drejtësisë, çohen në krye të politikës së partisë. Ka një absurd e skandal: ish-ministrat Beqja e Tahiri u përzunë nga detyra për zullumet me koncesionet, drogën e lidhjet me botën e krimit pasi mbaruan biznesin ekonomik dhe tani, sipas kryeministrit, ata do të merren me programin politik zgjedhor! 
Deklarime politikanësh
Edi Rama
Ndryshimet nuk nxiten nga rezervat për punën e 4 ministrave. Saimir Tahiri, kampioni ynë ku policia e shtetit u kthye në institucionin më të besueshëm. Bledi Klosi që çoi përpara me sukses stafetën e marrë nga Erion Veliaj. Ilir Beqaj, që ka bërë ndryshime rrënjësore në sistemin shëndetësor. Bledi Çuçi që udhëhoqi reformën historike territoriale”
Lulzim Basha
Të gjithë këtu jemi gati të japim gjithçka për një Shqipëri, ndryshe. Dhe ndryshe do të jetë, asgjë nuk do të jetë si më parë. Ndaj çdo “truk”, çdo manovër për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, për t’u dhënë sapunin për djathë, Tahirin për Ramë, kjo është e papranueshme. Protesta do të vazhdojë deri në krijimin e një qeverie teknike dhe largimin e çdo krimineli nga postet drejtuese. 
Sali Berisha
Pavarësisht nga motivet tejet të rënda të shkarkimit të tyre, përfshi këtu ultimatume të partnerëve, në të vërtetë me këtë deklaratë që do mbetet në analet e turpit dhe që mund të bëhej vetëm në një shpellë mafieje para ekzekutimit të kumbarëve, krye-kumbara, i trembur deri në palcë nga viktimat e tij, ka një dhe vetëm një qëllim. Ai do me çdo kusht, t’iu mbyll gojën të shkarkuarve për të gjitha informacionet, faktet, dokumentet, dosjet e aferave të mëdha korruptive dhe lidhjeve kriminale te vetë Ramës, të cilat, të denoncuara publikisht do të bëjnë ë duken lule apo thjesht një kafe, denoncimet e Manjanit për Ramën dhe organizatën e tij kriminale që ai drejton.
Edmond Panariti
Unë dua qe t’i kthehemi stabilitetit institucional. Çdo lëvizje brenda kabinetit që i shërben rivendosjes së marrëveshjes i shërben këtij qëllimi. Nuk është problem, nëse largohen 2-3 ministra, nëse kjo i shërben stabilitetit. Nuk mendoj që Meta të merret me të tilla diskutime. Shpresoj, që opozita të kthehet në institucione, sepse është rruga e duhur. Ne e dimë mirë, se çdo të thotë braktisje institucionale. Meta kryeministër është kërkese legjitime që një force politike të kërkoje kryetarin e saj në këtë pozicion.
Ben Blushi
“Pllakaton me kokat e ministrave, në Laprakë”, shkruan me ironi ish-deputeti socialist në faqen e tij në “Facebook”, ku shihet në një foto bashkë me qytetarë të tjerë që luajnë letra.
Sigal