Beqaj nga kryenegociator në BE, në negociator në burg?

29
Sigal

SPAK amnistoi ish- ministrin e Shëndetësië, Ilir Beqajn. Gjykata nxjerr në pah skandalin me sterelizmin: Duhej burgosur 7 vite pasi ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Gati përgjimet ‘bombë’ dhe  për aferën e Check-up

GJKKO thirrje SPAK për ish-ministrin Ilir Beqaj të merret nën hetim edhe për falsifikim dokumentesh

Për Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar intensiteti i shkeljeve të Ilir Beqajt është më i madh sesa ai i të akuzuarve të tjerë, lënia me masë sigurie më të butë se arresti në burg rrezikon prishjen e hetimeve apo shmangien e ballafaqimit me drejtësinë.

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka sugjeruar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që ta marrë ish ministrin e shëndetësisë Ilir Beqajn nën hetim jo vetëm për shpërdorim detyre, por edhe për falsifikim dokumentesh. Për GJKKO masat e sigurisë të kërkuara nga prokuroria janë jo proporcionale me rrezikshmërinë që shfaq i akuzuari, dhe duhet të kishte kërkuar arrest me burg. Madje GJKKO thotë se intensiteti i shkeljeve të Ilir Beqajt është më i madh sesa ai i të akuzuarve të tjerë, Klodjan Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj. SPAK lidhur me hetimin e dosjes së “Sterilizimit”, ka kërkuar për Beqajn masë sigurie ‘detyrim paraqitje’ e ‘ndalim të daljes jashtë vendit’. Sipas gjyqtarit Erion Bani, Beqaj ka konsumuar edhe veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve, duke evidentuar se këto vepra parashikojnë dënimin deri në 7 vite burg. Sipas GJKKO-së, Ilir Beqaj rezulton personi kyç në kryerjen e procedurave dhe nuk lë pa përmendur duke cituar bazën ligjore përkatëse, se për këto vepra lënia me masë sigurie më të butë se arresti në burg rrezikon prishjen e hetimeve apo shmangien e ballafaqimit me drejtësinë. Në një pjesë të vendimit të gjykatës thuhet: “Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190 paragrafi i tretë i Kodit Penal, ku parashikohet shprehimisht se: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”. Ky fakt evidentohet për të përcaktuar rëndësinë e faktit në rastin konkret ose masës së dënimit që mund të caktohet ndaj personit nën hetim. Gjykata çmon të ritheksoj se termin ligjor “rëndësia e faktit” parashikuar nga nenet 229 dhe 260 i Kodit të Procedurës Penale nuk nënkuptohet cilësimi juridik që i bëhet faktit nga prokuroria, por nënkupton një veprim, sjellje dhe fakt,) që i korrespondon një vepre penale të parashikuar nga Kodi Penal dhe që i nënshtrohet një vlerësimi të pavarur nga gjykata kur shqyrton kërkesën për caktimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit. Gjyqtari i hetimit paraprak është i pavarur në vlerësimin e faktit dhe mund të bëjë një cilësim juridik të ndryshëm të faktit penal nga ai i prokurorisë për të vlerësuar rëndësinë e faktit penal dhe të dënimit që mund të caktohet ndaj të dyshuarit në përfundim të gjykimit. Këtë vlerësim, gjykata e bën në mënyrë të pavarur pavarësisht faktin nëse prokurori ka bërë ndryshimin e cilësimit juridik sipas nenit 287 i Kodit të Procedurës Penale, pasi gjykata nuk është e detyruar të mbaj parasysh qëndrimin e prokurorisë lidhur me cilësimin juridik të faktit. Përkundrazi, gjykata pas administrimit të provave mund të konkludoj se jemi përpara një cilësimi juridik të gabuar të prokurorisë që në fazën e hetimit paraprak. Përcaktimi i saktë i normës që parashikon veprën penale, ka një rëndësi themelore, sepse është një parakusht për respektimin e parimit të ligjshmërisë. Për rrjedhojë vlerësimi i drejtë i faktit penal nga gjykatë është detyrim i saj që rrjedhojë nga parimi i ligjshmërisë”.

GJKKO konfirmoi se SPAK u bë mburojë për Ilir Beqajn

Besard Xhaferri reagoi të premten pas zbardhjes së vendimit të GJKKO për ish ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqajn. Xhaferri është shprehur se SPAK tentoi të kthehej në një mburojë për Beqajn, kryeministrin Edi Rama dhe korrupsionin e tyre të pa fre edhe në një sektor jetik për vendin siç është shëndetësia. “Zbardhja e vendimit të GJKKO për Ilir Beqajn faktoi edhe njëherë kapjen e SPAK, që tentoi të kthehej në një mburojë për Ilir Beqajn, Edi Ramën dhe korrupsionin e tyre të pafre edhe në një sektor jetik për vendin siç është shëndetësia. Në një kohë që prokurorët e SPAK kishin kërkuar detyrim paraqitje për ish Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, gjyqtari Erion Bani diktoi SPAK se Beqaj nuk duhej hetuar vetëm për shpërdorim detyre. GJKKO argumentoi se Ilir Beqaj ka konsumuar edhe veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve, vepra për të cilat ligji parashikon dënimin deri në 7 vite burg. Ish Ministri Ilir Beqaj sipas GJKKo rezulton personi kyç në kryerjen e procedurave për Sterilizimin dhe se për këto vepra lënia me masë sigurie më të butë se arresti në burg rrezikon prishjen e hetimeve apo largimin nga vendi. Përballë kësaj panorame gjyqtari Erion Bani është shprehur se ndaj Beqajt duhej masa arrest në burg pasi intensiteti i shkeljeve të Ilir Beqajt është më i madh sesa ai i të akuzuarve të tjerë, Klodjan Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj. Sipas GJKKO Ilir Beqaj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 8 697 000 000 lekë. Ky konstatim i GJKKO është një këmbanë alarmi për drejtësinë e re, pasi jemi koshient se koncensionet në shëndetësi veç korrupsionit kanë kryer dhe gjenocid mbi jetët e shqiptarëve. Ato para që duhej të kanalizoheshin për të shpëtuar jetë shqiptarësh kanë kaluar te PPP-të korruptive. Konstatimi i GJKKO për Ilir Beqaj më solli ndërmend të miturin Kristi Maze dhe adoleshentin Floristel Gjata, që kurimi i tyre jashtë shtetit që do t’u shpëtonte jetën u zvarrit për shkak të procedurave burokratike dhe mungesës së parave publike, pasi ato para ishin destinuar për oligarkët e PPP-ve në shëndetësi!” – tha Besard Xhaferri.