BE të mos pranojë liderë autokratë

449
Sigal

Ish-zv.presidenti i socialistëve evropianë Jan Marinus Wiersma: Rama është  bosi i madh i Shqipërisë

Ish-Presidenti i socialistëve evropianë Jan Marinus Wiersma: Vendet evropiane të mos pranojnë liderë autoritarë të Ballkanit Perëndimor, të cilët janë kthyer në bosët  e mëdhenj të vendeve të tyre.  Gabimet  me disa vendet e Lindjes, mund të përsëriten edhe në Ballkan, prandaj BE të jetë më agresive në negociatat për zgjerim

 BE të mos pranojë liderë autokratë

Jan Marinus Wiersma, drejtues i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”, në Holandë, ish-deputet i Parlamentit Evropian dhe ish-zv. Presidenti i grupit të Partive Socialiste Evropianë (PSE) shprehet se mes vendeve anëtare të BE ka një hezitim të fortë për të pranuar liderë autoritarë si Edi Rama, Aleksandër Vuçiç apo Milo Gjukanoviç. Në një intervistë për European Western Balkans Jan Marinus Wiersma ka deklaruar se BE nuk do që të ketë brenda saj, në të ardhmen, liderë të tjerë problematikë siç ka ndodhur më herët me Poloninë dhe Hungarinë.

Liderët ballkanikë

Duke bërë një krahasim për përfaqësuesit politikë të Rajonit, ish-deputeti i Holandës thotë se në rajon, Aleksandër Vuçiç njihet si lider autoritar, po ashtu dhe presidenti i Malit të Zi, ndërsa për Edi Rama shton se është “bosi i madh” në Shqipëri. Ai shton se duhet një kontroll më i rreptë për këto vende në procesin e integrimit. “Nëse i hidhni një sy rolit të Presidentit Vuçiç këtu në Serbi, ai është disi autoritar edhe Gjukanoviç në Mal të Zi. Edi Rama është gjithashtu një “bos i madh” në Shqipëri dhe unë mendoj se Zaev ka një profil disi të ndryshëm. Kështu që unë e kuptoj që ekziston një hezitim i caktuar për të pranuar këtë lloj liderësh në BE, ku ne kemi tashmë probleme me të tjerë”, shprehet Wiersma. Ai justifikon qëndrimin e presidentit të Francës si një masë që në BE të mos shtohen liderë, si ai i Hungarisë dhe Polonisë. “Argumenti i shtuar tani dhe kjo është gjithashtu ajo që unë mendoj se po luan një rol në motivimin e Presidentit Macron, është se ne nuk duam të marrim në BE vendet që më pas fillojnë të sillen si Orban në Hungari ose Kaczynski në Poloni. Kjo është një frikë shtesë, duke pranuar dy ose tre vende mund të kenë një ndikim shqetësues”,- thotë Jan Marinus Wiersma.

BE të jetë agresive ndaj liderëve të tillë

Eksperti holandez sugjeron se BE duhet të jetë me agresive ndaj liderëve të tillë dhe elitave që ata përfaqësojnë. “Unë mendoj se duhet të jemi më agresivë si Bashkimi Evropian në këto negociata, ky është roli i Komisionit Evropian. Ne duhet të jemi më agresivë ndaj elitave të vendeve kandidate dhe të mos i lejojmë ata të largohen. Kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjmë, monitorimi dhe shqyrtim që ata përmirësohen. Gjithashtu, mbase duhet të ketë më shumë investime që duhet të çojnë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si një dimension shoqëror”, thotë Jan Marinus Wiersma dhe shton se Parlamenti Evropian duhet të përfshihet në mënyrë më direkt në zgjidhjen e këtyre krizave.