BE prezanton strategjinë e hapjes: Do të kemi sezon turistik veror, qoftë edhe me masa sigurie apo kufizime

315
Sigal

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka propozuar heqje graduale të kufijve me qëllim rinisjen e industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

“Mesazhi ynë është se do të kemi një sezon turistik kësaj vere, qoftë edhe me masa sigurie dhe kufizime,” tha sot komisioneri ekonomik i BE, Paolo Gentiloni.

Aktualisht kufijtë janë të mbyllur duke përfshirë dhe zonën Schengen, por Austria e Gjermania janë nga shtetet e para që po heqin kufizimet e udhëtimit.

Prej të premtes do të ketë vetëm kontrolle rutinë në pikat kufitare mes tyre, ndërsa nisja e lëvizjes së lirë pritet të nisë më 15 qershor. “Ne duam ta bëjmë më të lehtë jetën e përditshme duke marrë një tjetër hap drejt normalitetit”, tha kancelari austriak Sebastian Kurz.

Komisioni Evropian tha se udhëzimet e tij bazohen në parimet e sigurisë dhe mos-diskriminimit. Turizmi përfaqëson 10% të prodhimit ekonomik të Evropës dhe miliona vende pune në të gjithë 27 vendet anëtare.

Zv. Presidentja e Komisionit, Margrethe Vestager tha se asnjë nuk duhet të udhëtojë nëse ndjehet sëmurë apo ka shfaqur simptoma.

Sipas planeve, vendet do të nisin të bashkëpunojnë për heqjen graduale të kufizimeve, duke mbajtur në fuqi vetëm masa specifike për ndalimin e pandemisë së Covid-19.

Ky plan do të lejojë kalimin ndërkufitar të punonjësve sezonalë, të ndjekur nga heqja e kufizimeve mes vendeve me nivele të ngjashme të përhapjes së virusit, dhe më pas me heqjen e kufijve të brendshëm të BE.