BE kërkon hapjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri

729
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Austria dhe Danimarka kërkojnë hapjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri

Kryeministri Rama i hap rrugë marrëveshjes me shtetet evropiane, duke mos informuar aspak shqiptarët

Vendet e Bashkimit Evropian do të marrin vendimin në qershor të 2019-s, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë për pranimin në BE. Mirëpo, ky vendim po kthehet në një Pazar politik dhe diplomatik midis Shqipërisë dhe disa vendeve të BE-së. Shqipëria nuk plotëson dot 13 kushtet që BE-ja i ka vendosur; për të realizuar reformat e thella në drejtësi; në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; në të Drejtat Themelore të Njeriut dhe Minoriteteve; në zgjedhje të lira; larg shitblerjes së votave; në reformat për departizimin dhe depolitizimin e administratës publike etj. Prandaj edhe kryeministri Rama kërkon të bëjë marrëveshje me shtetet kryesore të BE-së, që vendimmarrja të jetë politike. Shtetet kryesore të BE-së, sikurse Gjermania, Franca, Austria, por edhe Holanda e Danimarka, duan të bëjnë pazare politike dhe diplomatike me Shqipërinë, që të dërgojnë në vendin tonë ata refugjatë, që nuk duan të mbajnë në vendet e tyre, por duan që t’i kthejnë në vendin e origjinës së tyre. Fillimisht, ranë dakord, mirëpo reagimet e fuqishme të shqiptarëve, detyruan palët shqiptare dhe të BE-së, që të ngrinin përkohësisht marrëveshjet. Ndërsa, tani, që situatat janë “qetësuar” pazaret politike dhe diplomatike duan të gjejnë terminologji të reja, që në Shqipëri të vijnë refugjatët, por të mos shkaktojë reagime publike.

Njofton ANSA

Agjencia Italiane e Informacionit ANSA, informoi se, sipas burimeve diplomatike evropiane, Austria e Danimarka po insistojnë në planin e tyre për ngritjen e qendrave për strehimin e emigrantëve të dëbuar nga Bashkimi Evropian në vende të treta jo anëtare të BE, në veçanti në Shqipëri.

Në Shqipëri do vijnë refugjatë, që do largohen përfundimisht nga Evropa

Sipas ANSA-s në këto kampe emigrantësh do të strehohen azilkërkues, ndaj të cilëve është marrë vendimi përfundimtar për largimin e tyre nga territori evropian e që nuk mund të riatdhesohen në vendet e origjinës për shkak të mungesës së marrëveshjes mes palëve. Një dokument i tillë që përmban konceptin e ngritjes së qendrave të emigrantëve në vendet e treta jo anëtare të BE është prezantuar dhe më parë në Komitetin Strategjik Evropian për Emigracionin.

Të premten, në Luksemburg do diskutohet edhe tema e refugjatëve në Shqipëri

Dhe pse nuk është parashikuar që një çështje e tillë te jetë në agjendën e punës së Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtarë që do të mbahet të premten e ardhshme në Luksemburg, sipas Agjencisë Italiane të Informacionit me shumë gjasa mund të merret në diskutim.

Marrëveshje e qeverisë shqiptare dhe Ministrit të Brendshëm të Austrisë Herbert Kickl për kampet e refugjatëve

Në Tiranë gjatë pjesëmarrjes në Ministerialit BE, Ballkani Perëndimor ministri i Brendshëm austriak, la të kuptohet që kanë nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë për pranimin e refugjatëve që janë në Evropë. Ministri i Brendshëm austriak Kickl u shpreh mes të tjerash sekërkojmë partneritete solide midis Bashkimit Evropian, por edhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Ky është një hap mjaft i rëndësishëm për sa i përket statusit të partneriteteve, që kërkojmë të arrijmë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të statusit në këtë drejtim. Ndaj është kënaqësi të njoftoj që ne kemi nënshkruar një marrëveshje statusi me Shqipërinë, i cili është një zhvillim pozitiv”, – deklaroi Kickl.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama po e mbush vendin me refugjatë për karrigen e tij…

Rama po boshatis Shqipërinë nga shqiptarët duke i detyruar përmes qeverisjes së tij për interesat e korrupsionit dhe të lidhur me kriminelët e klanet mafioze. Por kjo duket nuk i ka mjaftuar për të ruajtur karrigen e kryeministrit. Për të zhvendosur vëmendjen e ndërkombëtarëve nga dukuritë negative të qeverisjes së tij Rama është ofruar të pranojë në Shqipëri refugjatë nga vendet afrikane, të cilat edhe vendet e zhvilluara të BE po i  refuzojnë. Vendi është i rrezikuar në aspektin demografik. 60 për qind e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi. Kudo dëgjohet i vetmi argument: “…ky vend nuk bëhet dhe nuk mund të rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve…” Krahas të varfërve, po tentojnë të largohem specialistët për përgatitjen e të cilëve janë konsumuar shumë para dhe angazhim cilësor njerëzor, duke e varfëruar vendin në aspektin arsimor e intelektual, pra duke e bërë atë më mediokër. Po largohen masivisht mjekë e infermierë duke vënë në rrezik sigurinë e sistemit shëndetësor. Po largohen në shumicë të rinj, djem e vajza të reja dhe kështu popullsia po vjetrohet me shpejtësi marramendëse, duke vënë në rrezik sistemin e sigurimit shoqëror dhe goditur rëndë familjen shqiptare.  Po largohen biznesmenë të mëdhenj e mesatarë duke e bërë vendin më të varfër dhe duke u shoqëruar me rritje të konsiderueshme të papunësisë e varfërisë. Të gjithë këto ikje kanë vetëm një shkak,  interesin personal të Ramës, karrigen e tij personale.

 

Av. Kujtin Cakrani: Kryeministri Rama mendon, se nuk ka detyrim ligjor të informojë shqiptarët për kampet e refugjatëve

Disa muaj më parë në një takim që kryeministri Edi Rama pati me Kancelarin e Austrisë, në mënyrë të pakuptueshme shprehu gatishmërinë e marrjes së emigrantëve Sirianë dhe sistemimin e tyre në Shqipëri! Kryeministri Rama ishte i gatshëm e pranojë edhe disa emigrantë që prej shumë ditësh mbaheshin në bordin e një anije Italiane në portin e Katanias në Itali. Kryeministri Rama ka detyrimin ligjor që të bëjë transparente të gjitha diskutimet dhe marrëveshjet që bën me kryeministrat e BE-së. Tashmë është fakt që Kakavijë gjenden 32 emigrantë Sirianë, fakt që kryeministri, apo Ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm nuk ia kanë bërë publike qytetarëve! Fakti që të gjitha këto biseda dhe vendimmarrje, si të kryeministrit, ashtu edhe ministrave përkatës për këtë çështje merren, apo shqyrtohen në një mos-transparence ndaj qytetarëve, lë të mendosh se diçka fshihet? Nuk është hera e parë që kryeministri Rama merr vendime në mungesë transparence për qytetarët, marrëveshjet dhe detyrimet e përbashkëta që qeveria ka duhet t’i respektojë. Qeveritë e vendeve të BE nuk marrin asnjë vendim pa u konsultuar me qytetarët e tyre, pasi ata kanë përgjegjësinë dhe detyrimin. Ndoshta kryeministri Edi Rama, duke ditur që ka ardhur dhe mban pushtetin me mënyra të errëta, mendon se nuk ka asnjë detyrim për llogaridhënie…