BE “flet” shqip, Gonzato: Luftoni korrupsionin, duhen rezultate të dukshme. Kusht për rrugëtimin europian

18
Sigal

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato thotë se korrupsioni duhet të luftohet me vendosmëri.

Në një aktivitet të mbajtur nga ministria e Drejtësisë, për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ambasadori Gonzato thotë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë kusht për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Gonzato thotë se vendi ynë do ketë mbëhstetjen e Bashkimit Europian, ndërsa thekson se korrupsioni duhet të luftohet, pasi është edhe një arsye se përse të rinjtë largohen.

“Korrupsioni është pasojë e aktiviteteve kriminale dhe ndikon në sigurinë e vendeve tona, kjo thellon pabarazitë dhe dëmton besimin popullatës te qeveritë. Bën që rinia të largohet.
Puna jonë është që ta vendosim edhe njëherë këtë besim. Lufta kundër korrupsionit është thelbësore për të krijuar një jetë më të mirë.

Rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë të rëndësishëm për të ecur para në procesin e integrimit, këto përpjekje duhet të jenë të dukshme të njohura, të gjithë duhet të shohin që krimi ndëshkohet.

Për të zgjidhur sfidat që kemi brenda BE, KE ka marrë paketë kundër luftës së korrupsionit.
Korrupsioni mbetet gjithandej dhe ne duhet të jemi vigjilentë”, tha Gonzato.

Sipas tij, rezultatet kundër korrupsionit duhet të jenë të dukshme dhe konkrete në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, ambasadori Gonzato tha se duhet forcuar kuadri ligjor si edhe duhen ngritur institucione me integritet të lartë.

 “Në Ballkanin Perëndimor duhet të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit me vendosmëri dhe kurajo, me iniciative konkrete për të forcuar kuadrin ligjor dhe burime financiare për të ngritur institucione me integritet të lartë.

Përpjekjet duhet të jenë të dukshme dhe konkrete.

Parandalimi dhe zbatimi i rendit duhet të jetë shumë i rëndësishëm, sepse kjo ka të bëjë me reformat e rëndësishme që ka bërë Shqipëria.

Ne kemi parasysh punën që është bërë me një mbështetje shumë të madhe nga BE për të pasur një strategji 2024-2030, që do jetë një kuadër ligjor për të identifikuar korrupsionin, administrata tatimore, doganat, prokurimet publike”, u shpreh ambasadori.

BE ka dhënë mbështetje afro 100 mln euro për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, tha Gonzato, ndërsa theksoi se duhet një iniciativë e fortë politike për ta çaur përpara.

“Lufta kundër korrupsionit do hasë rezistencë nga ata persona që kanë interesat e tyre të fshehura, prandaj duhet një iniciativë e fortë politike që duhet të jetë e vazhdueshme.

BE ka dhënë mbështetje teknike për pjesën e parandalimit të korrupsionit, ky është një investim ku bëhet fjalë për afro 100 mln euro, një kuadër i rëndësishëm për të diskutuar mbi përpjekjet e ndryshme në luftën kundër korrupsionit”, tha Gonzato.