BE dhe Mbretëria e Bashkuar arrijnë marrëveshjen për Brexit

457
Sigal

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur sot një marrëveshje për Brexit, daljen e MB-së nga BE-ja.

Kryeministri anglez Boris Johnson shkroi në Twitter:

“Kemi një marrëveshje të re të mirë, që rifitojmë kontrollin.”

Ndërsa Presidenti i KE-së Jean-Claude Juncker shkroi:

“Atje ku ka vullnet, ka #marrëveshje – dhe ne kemi një! Është një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar për BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe është dëshmi për angazhimin tonë për të gjetur zgjidhje.”

Kjo marrëveshje duhet tani të miratohet nga parlamenti anglez dhe ai europian, dhe është përgjegjësi e dy liderëve që të bindin të gjitha palët.

Veçanërisht e vështirë duket për Boris Johnsonin bindja e Partisë Demokratike Unioniste e Irlandës së Veriut, e cila ka deklaruar se nuk është e kënaqur me qëndrimin e Johnson në marrëveshje për doganat dhe kufirin irlandez.

Kryenegociatori i BE-së Michel Barnier sqaroi se marrëveshja e re bazohet në katër elementë:

– Irlanda e Veriut do të vazhdojë të respektojë një sërë rregullash të BE-së, veçanërisht ato që lidhen me mallrat.

– Irlanda e Veriut do të jetë pjesë e territorit doganor të MB-së, por do të mbetet “pikë hyrjeje” në tregun e përbashkët europian.

– Ka dakordësi për të ruajtuar integritetin e tregut të përbashkët dhe për të gjetur zgjidhje për shqetësimin e MB-së për sa i përket TVSH-së.

– Përfaqësuesit e Irlandës së Veriut do të vendosin nëse do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat e unionit në Irlandën Veriore apo jo, çdo katër vjet.

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian kanë rreth 2 vjet që negociojnë për hartimin e një marrëveshjeje.

Negociatat nisën në mars 2019 pas referendumit të qershorit 2016 ku 51.9 për qind e britanikëve votuan pro daljes nga BE-ja.