Bashkimi Europian pezullon miliona euro fonde të bujqësisë për Shqipërinë, për shkak të korrupsionit

50
Sigal

Komisioni Europian ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Më datë 14 Korrik, në protokollin e disa institucioneve shqiptare mbërriti një letër nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Europian.

Qeveria shqiptare është njoftuar zyrtarisht përmes kësaj shkrese, për vendimin e marrë nga KE.

Letra i ka mbërritur disa institucioneve duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, AZHBR-në, Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës të Ilir Beqjas.

Oligarkia.al e konfirmoi fillimisht lajmin me tre burime konfidenciale të pavarura nga ministria e Financave, ajo e Bujqësisë si dhe nga delegacioni i Bashkimit Europian. Më pas arriti të lexojë pjesë nga letra.

“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,” shkruhet në letrën e Wolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG AGRI, drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.

Vendimi i BE për të ndërprerë fondet e bujqësisë për Shqipërinë vjen pas një hetimi të OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian. Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen.

Referuar artikullit, bëhet me dije se OLAF ka identifikuar disa raste kur paratë janë dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare.

Paralajmërim për përjashtim nga IPARD 3

Ironikisht shkresa bombë nga Komisioni Europian i ka mbërritur qeverisë shqiptare pikërisht në ditët kur kryeministri Edi Rama organizoi në Tiranë një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku njoftoi një plan të ri financiar mbështetje nga BE për vendet e rajonit. I pranishëm ishte edhe komisioneri Varhelyi.

Përveç pezullimit të transhit për këtë vit, në letër Komision Europian paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të përjashtojë Shqipërinë nga programi IPARD III, i cili deri në vitin 2027 parashikohet të disbursojë 146 milionë euro grante për fermerët shqiptarë, nëse qeveria nuk do të korrigjojë me shpejtësi të gjitha abuzimet e gjetura. Tashmë këto fonde janë në rrezik për shkak të korrupsionit në AZHBR.

Hetimi i OLAF

Hetimi i OLAF për fondet e bujqësisë në Shqipëri nisi në vitin 2021. Në mars të atij viti, hetuesit e OLAF zhvilluan një operacion blic në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së duke sekuestruar kompjutera, dokumente si dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë nxorri një deklaratë të shpejtë në faqen e saj zyrtare duke e cilësuar aksionin si një kontroll rutinë, që bëhen shpesh nga Zyra e Investigimeve në BE. Por një orë më pas deklarata u fshi.

Në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Vojo Bregut, i kërkoi ish ministres Milva Ekonomi që të njoftojë urgjentisht SPAK për këtë investigim të OLAF.

Në dy vite e gjysmë, hetuesit e OLAF kanë kryer hetime të hollësishme dhe pas përfundimit ka komunikuar gjetjet e tyre, duke vënë fillimisht në dijeni Komisionin Europian dhe DG AGRI-n. Menjeherë sapo është njohur me gjetjet e hetimit, Komisioni Europian ka urdhëruar pezullimin urgjent të fondeve të IPARD për Shqipërinë si masë për të mbrojtur interesin e taksapaguesve europianë.

Ky vendim i KE ka tronditur qeverinë shqiptare. Oligarkia.al ka mësuar se kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar mbi veprimet që do të ndërmarrin autoritetet shqiptare, ndërkohë që nuk dihet se sa larg shkojnë zbulimet e hetimeve të OLAF dhe cilët janë zyrtarët shqiptarë të implikuar në të.

Ajo që dihet e sigurtë është se hetimi është kryer për kohën kur AZHBR drejtohej nga ministrja aktuale e Bujqësisë, Frida Krifca dhe më pas nga Eranda Selmanaj. Oligarkia.al i kërkoi një koment zonjës Krifca në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk arriti të merrte një përgjigje nga ministrja e Bujqësisë.