Bashkia e Vlorës shpall “Qytetar Nderi”, Brokajn, Milon dhe Xhufin

1025
Të shtunën, më dt. 13 qershor 2015, ora 11-00, në Kinoteatrin “Petro Marko” Këshilli Bashkiak i Vlorës, organizon ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” tre personaliteteve të shquara të politikës dhe mendimit shkencor, Prof. Dr. Sabit Brokaj, Prof. Dr. Paskal Milo dhe Prof. Dr. Pëllumb Xhufi. Këshilli Bashkiak kësaj radhe ka përzgjedhur tri figura, fillesat e të cilëve nisin në lagjet, sheshet dhe rrugicat e qytetit të Vlorës. Ata vijnë prej familjeve me kontribute të shquara patriotike, pauses të denjë të të cilave do të bëheshin në punë dhe përpjekje për transformimet demokratike të vendit tonë, duke qëndruar konsekuentë dhe parimorë në pikëpamjet dhe vizionin e tyre për një demokraci reale në papajtueshmëri me çdo lloj deformimi, fryma polemizuese e të cilëve ndaj bartësve, nxitësve, manipuluesve e spekulatorëve, do të ishte e vazhdueshme, e moralshme, e domosdoshme, shpesh vendimtare dhe frymëzuese. Të tre janë portrete qytetarësh të respektuar, shkencëtarësh të nderuar, politikanë të përkorë dhe burra shteti të shquar.
Prof. Dr. Sabit Brokaj
Prof. Dr. Sabit Brokaj, mjek ushtarak pas përfundimit të studimeve në UT në vitin 1969. Ka kryer disa specializime jashtë vendit, në Francë dhe Gjermani. Edhe pse mes hapash, urdhrash, ritmesh të prera e të sakta, i hijeshoi ato me përpunimin shpirtëror të ideve të fuqishme, jo të një naziku e llastuesi pushtetar, por të një sqimatari, i cili di të përzgjedhë tingujt e buçimës atdhetare qëi dhanë zërit të tij elegancën e një sinfonie shenjtorësh në skenën ku djajtë çirren e ngjiren në shkërbime princësh e monarkësh, përbindëshash e stihish, ndeshja e përqeshja ndaj të cilëve, me çiltërsinë e fisnikërisë së thjeshtësisë dërrmon megalomaninë e fisnikëve përdëllimtarë e, në këtë përqasje kundërvëniesh,feks vezullimi i madhështisë në shpërthimin e pasioneve dhe ideve të fuqishme. Ministër i Shëndetësisë në vitet 1991-92. Ministër i Mbrojtjes në vitet 1997-98, me një kontribut të spikatur për rimëkëmbjen e ushtrisë pas shkatërrimeve të vitit 1997 dhe në ngritjen e UÇK. Ka qenë i zgjedhur në pesë legjislatura, si deputet i PS në qarkun e Vlorës. Intelektual aktiv në trajtimin e problemeve të shoqërisë shqiptare. Bilanci i tij shkencor, politik dhe shoqëror, përmblidhet në aritjen e majave ku ai militoi e kontribuoi. Në fushën e shkencës mjekësore ai është kardiolog me gradën shkencore Profesor Doktor. Në arenën politike ai është një ndër Partisë Socialiste, disa herë deputet i Vlorës dhe dy herë ministër. Si personalitet shoqëror ai është nderuar në vitin 1991 me titullin “Qytetar Nderi” i Oklahomës në SHBA. Shoqata atdhetare “Laberia” e ka shpallur “Personalitet të Shquar të Labërisë”. Për kontribut të drejtpërdrejtë në luftën për çlirimin e Kosovës, Komiteti Shtetëror i këtij vendi e ka nderuar me titullin “Veteran i UÇK”. Sot edhe Qyteti i tij e nderon me titullin më prestigjoz “Qytetar Nderi”.

Prof. Dr. Paskal Milo 
Prof. Dr. Paskal Milo, pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “ A. Demi” Vlorë, vazhdon studimet e larta në fakultetin Histori-Filologji të UT, të cilin e përfundon në vitin 1970. Djalosh aso kohe, brishtësia e të cilit bënte që të lëndohej shpirtërisht e të revoltohej, pa fyerje e kërcënime, ndaj dikujt që punën dhe pasionin e tij për dituri eshihte gjithë zili e smirë. Kërkonte ta gjente te vetja përgjigjen e pyetjes se pse tregoheshin keqdashës, kur ai inspironte vetëm mirësi. “Ndoshta, unë duhet…..” dhe mendonte e reflektonte për përsosjen e mëtejshme të sjelljes e të marrëdhënieve me të tjerët, gjë që u bë tipar kryesor i karakterit të tij dhe që, me kohë, ndikoi në krijimin e një profili njerëzor tërheqës, atij shkencor-tepër të thellë, si dhe atij politik-tepër konsekuent e parimor, inkonformist, tek i cili nuk gjejnë vend mbrashtitë dhe dyfytyrësia, që vijnë si jehonë valësh të fëlliqura të mpleksen me dallgët e kaltra të Jonit, freskia dhe afshi i të cilave ledhatojnë Dhërmiun e Petro Markos, në gurrat e të cilit ka lodruar dhe është mëkuar Paskal Milo. Ministër i Punëve të Jashtme për disa vite, Akademiku Rexhep Qose do të thoshte se” Në krye të diplomacisë shqiptare gjendet një luftëtar i përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, P. Milo.” Ka kontribut të madh në në Marrëveshjen e Rambujesë. Tepër i vlerësuar nga liderë të politikës evropiane, për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Vazhdon jetën politike si kryetar i PDS duke u dalluar si një lider patriot dhe i ekuilibruar. 
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi – i lidhur ngushtë me qytetin e Vlorës, ku kaloi vitet e fëmijërisë, të cilat lanë gjurmë në formimin e tij qytetar. Pas mbarimit të shkollës së mesme për gjuhët e huaja, vazhdoi studimet e larta në universitetin “ La Sapienza”, në vitet 1972-77. Prej vitit 1981 punon si studiues i historisë së Mesjetës në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave. Përherë i angazhuar në trajtimin e të vërtetave historike, shpesh duke u ballafaquar e polemizuar me qëndrime të politizuara. Me ndjeshmëri të lartë të vetëdijes kombëtare, i matur në gjykime, me një zë autoritar e neveritës kompromisesh denigruese, në të cilat jo rrallë janë përfshirë politikanë apo pseudohistorianë, vlerësues i historisë sonë kombëtare, i ngjarjeve të mëdha që ka kaluar vendi ynë, duke evidentuar vetitë e larta pa i përzier ato me definicione rishtare antishkencore dhe jo reale! Shpërthyes në qetësinë e vet dhe i qetë në alarmet që ngre, P. Xhufi është një vlerë e jetës politiko-shoqërore e shkencore, për të cilin ka nevojë stadi aktual i zhvillimit të vendit, ndaj dhe populli e nderon dhe e respekton, te dashuria e të cilit ai gjen frymëzimin e përhershëm në veprimtarinë e vet atdhetare e shkencore. Gjatë pozicionit të tij si zv. Ministër i Punëve të Jashtëme, ai ka një kontribut të shquar sidomos në Marrëveshjen e Rambujes për pavarësinë e Kosovës. Më pas veprimtaria e tij diplomatike vazhdoi si ambasador në Itali. 
Tri figurat e nderuara kanë të përbashkët: dashurinë për atdheun dhe popullin shqiptar, kudo ku jeton në trojet e veta; dashurinë për kombin, për gjuhën dhe historinë e tij; kontributin për pavarësinë e Kosovës. Kanë veprimtari të dëndur shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Janë autorë të një sërë veprash e punimesh shkencore. Janë pjesëmarrës në shumë kongrese, konferenca e kolokuiume shkencore të zhvilluara në shumë vende të botës. Janë vlerësuar me tituj e medalje, zinxhirit të të cilave u shtohet edhe titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”, dhënë nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti. MIHAL KALIA 
Sigal