Bashkia e Tiranës investon te Bregu i Lumit, përmirësim infrastrukturës arsimore dhe sociale

560
Veliaj: “Transformimi i Tiranës është i dukshëm; qytetarët presin që të vazhdojmë punën”
Pas një zvarritjeje të gjatë disa vjeçare, Bashkia e Tiranës është duke përfunduar punimet për ndërtimin e qendrës së re shumëfunksionale në Bregun e Lumit, në Njësinë Nr. 4. Falë edhe mbështetjes nga Komisioni Evropian, në këtë zonë është mundësuar ndërtimi i një shkolle të re, e një kopshti dhe çerdheje, si dhe e qendrës sociale e cila do t’u vijë në ndihmë qytetarëve të zonës.
Punimet për ndërtimin e kësaj qendre u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, i cili theksoi se ndërtimi i qendrës dhe përmirësimi i infrastrukturës në të gjithë zonën, do ta shndërrojë Bregun e Lumit në një nga destinacionet më moderne të Tiranës. Veliaj tha se investimet do të fokusohen jo vetëm në Tiranën qytet, por edhe në zonat periferike.
“Në një vit e gjysmë, këtu transformimi është i dukshëm, ndaj dua t’u bëj thirrje të gjithëve që, teksa bëjmë debatet e mëdha politike, të cilat janë të nevojshme, është e rëndësishme të kuptojmë se ajo që presin qytetarët nga ne është që të përveshim krahët dhe të vazhdojmë punën. Nëse dikush nuk ka bërë punë dhe për këtë arsye nuk ka çfarë ofron e nuk do të vijë në zgjedhje, kjo nuk duhet të jetë problem dhe dramë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ama, kush ka bërë punë dhe kush do të bëjë akoma më shumë punë, duhet të paraqesë ofertën e vet në datë 18 qershor dhe të na tregojë se si mund të bëjmë më shumë kopshte, më shumë çerdhe, më shumë rrugë, më shumë tregje si Pazari i Ri, më shumë rrugë si Bulevardi i Ri, më shumë sheshe si sheshi “Skënderbej”, më shumë kënde lodrash”, tha Veliaj.
Ai tha se është një lajm i mirë që Bashkia e Tiranës po investon gjithmonë e më shumë në periferi të qytetit, e madje këto investime janë edhe më të mira se ato të qendrës. “Nuk ka nevojë që çdo mëngjes të kalojmë kohë në trafik duke kërkuar shkolla, çerdhe e kopshte të tjera, por si në rastin e Bregut të Lumit, qytetarët do t’i kenë të gjitha në një zonë. Ndaj, ky investim vjen si sinjalizimi i parë i këtij urbanizimi, ku kemi bashkuar forcat, me punën që po bëjmë te lumi, me sistemimin e rrugëve të zonës që po bën bashkia me Komunitetin Europian, por sidomos të këtyre qendrave studimore, arsimore dhe sociale”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë sqaroi se koncepti i këtij kompleksi është që të funksionojë si një qendër komunitare. “Pasi mbaron mësimi për nxënësit, terrenet sportive do të jenë të hapura për komunitetin. Por kjo është edhe një zonë me probleme të thella sociale. Ndaj, ideja e të pasurit të një qendre sociale këtu, ku shërbimet të vijnë këtu, të kemi një mensë për ata që janë në nevojë, ku edhe terapia për personat me aftësi të kufizuar të zhvillohet këtu, logopedia etj, besoj se janë të gjitha lajme të mira për komunitetin”, tha ai, duke shtuar se herë të parë një nga zonat më të degraduara të qytetit sot ka vëmendjen e Bashkisë së Tiranës dhe të qeverisë shqiptare. 
Veliaj garantoi qytetarët se investimet do të vijojnë me një ritëm, për t’u ofruar atyre jo vetëm infrastrukturë më të mirë, por edhe shërbime shumë herë më cilësore. “Jam gati bashkë me skuadrën dhe me deputetët e Tiranës që të shkojmë në datën 18 qershor me një ofertë që e çon në marsh të pestë energjinë tonë të këtyre muajve të fundit. Besoj se në Tiranë gjërat flasin vetë. E mirëkuptoj pse dikush është në çadër, pse nuk bëri dot një punë në Tiranë, le më të marrë përsipër të bëjë punë në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që karvani të ecë përpara dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë ata qytetarë që në fund të ditës presin përgjigje në çfarë shkolle do i çojnë fëmijët, në çfarë çerdhe, kush do t’i ndihmojë në ditën e tyre të nevojës, ne t’i kemi përgjigjet. I kemi përgjigjet dhe do të jemi aty me një ofertë politike për punë konkrete, kurse për llafe duhet të gjejnë dikë tjetër”, theksoi Veliaj. Paralelisht me ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale, Bashkia e Tiranës po punon edhe për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti falenderoi kryetarin e Bashkisë për përkujdesin e treguar në investimet në periferi të qytetit, duke i dhënë shpresë dhe mundësi të reja të gjithë komunitetit në këtë zonë. “Duhet t’i japim një falenderim shumë të madh Kryetarit për vëmendjen e treguar ndaj njësisë sonë, një falenderim për të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mundësuar realizimin e ëndrrave të gjithë këtyre fëmijëve dhe banorëve. T’i japim mundësi të rinjve që të shkëputen nga jeta e tyre thjesht në kafene apo pika bastesh”, tha Gjylameti.
Nga realizimi i projektit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale në njësinë Nr. 4 në kryeqytet, është ndërtuar qendra sociale, çerdhja, kopshti, si dhe një shkollë. Gjithashtu, do të ketë një qendër shumëfunksionale, kinema dhe mensë, në shërbim të komunitetit. Midis palestrës së shkollës dhe vetë shkollës është ndërtuar edhe një godinë për shërbimet, si dhe dhomat e zhveshjes për palestrën. Si për kopshtet, edhe për qendrën sociale, është bërë izolimi termik, për të siguruar një qëndrim sa më komod të fëmijëve në shkollë. Kapaciteti i shkollës është 900-1000 nxënës, në varësi të nevojave që ka komuniteti.
Sigal