Bashkëpunimi mes vendeve/ Presidenti Ilir Meta takim me Zv. Presidentin e Senatit të Madagaskarit, Amido

517
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Zëvendëspresidentin e Senatit të Republikës së Madagaskarit, Amido, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri.
Presidenti Meta përshëndeti këtë vizitë të parë të zotit Amido në Shqipëri, duke e konsideruar atë si një shenjë shumë pozitive për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve e që duhen inkurajuar më tej dhe në të gjitha nivelet.
Duke iu referuar zhvillimeve pozitive në rajonin e Ballkanit, Presidenti Meta kërkoi që edhe Madagaskari t’i bashkohet shumicës së vendeve të tjera të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian që po kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon, duke e njohur pavarësinë e Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se, si dy vende me pasuri të shumta natyrore, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të nxitur e zhvilluar bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe pasuruar realisht marrëdhëniet mbi dyzetvjeçare diplomatike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, por edhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar, ku padyshim një vend të veçantë zë bashkëpunimi në kuadrin e Frankofonisë dhe Aleancës së Qytetërimeve.


Sigal