Basha: Zemërata popullore para dy ditësh, nuk ishte skenar i opozitës

440
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ripërsëriti sot se dhuna e ushtruar gjatë protestës së 8 dhjetorit nuk ishte skenar i opozitës. Gjatë fjalës së tij në “Forumin Shqiptar për Liri dhe Demokraci” Basha tha se dhuna e vërtetë është ajo e qeverisë.
“Zemërata popullore para dy ditësh, nuk ishte skenar i opozitës. Dhuna e vërtetë është dhuna qeveritare, ndaj të pamundurëve, ndaj të papunëve që s’kanë më asnjë shpresë. Dhuna është ndaj biznesit të vogël. Dhuna është ajo e studentëve. Dhuna është ndaj fermerëve, dhuna e vërtetë është dhuna ndaj klasës së mesme shqiptare, ndaj medias dhe shtypit të lirë.” tha Basha.
Ndonëse u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në 25 vite demokraci, lideri i opozitës tha se në Shqipëriekziston shteti i të padrejtës.
“Sot pas 25 vitesh kemi një Shqipëri tjetër, kemi një Shqipëri e cila vetëm 6 vite më parë u bë anëtare e NATO-s, kemi një Shqipëri e cila partneritetin e saj strategjik e ka me SHBA. Kemi një Shqipëri e cila më në fund është kandidate për anëtarësim në BE. Por megjithatë kemi një Shqipëri të frustruar, të zemëruar, të pasigurtë. Sot kemi të bëjmë me shtetin e të padrejtës. Gjykatat dhe prokuroria shqiptare janë sot zogjtë më të trembur përballë një ekzekutivi që i ka vënë përposhtë. Shtrembërimi apo deformimi i shtetit ligjor në Shqipëri nuk është ndalur. Legjislativi shqiptar në 25 apo 23 vitet e fundit është katandisur në një noter gojëkyçur i kryeministrit. Ne duam të ndryshojmë motivin e luftë elektorale, të jetë një betejë për të marrë përsipër barrën e përfaqësimit të aspiratave të një populli të tërë,” shtoi kreu i PD-së.
Në fjalën e tij Basha deklaroi se i vetmi test i llogaridhënies para qytetarëve janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke bërë thirrje në këtë rast për një konsensus të gjerë shoqëror, me të djathtë e të majtë.
“Shkatërrimi i zgjedhjeve të 2 1 qershorit është kambanë alarmi. Shkatërron instrumentin e fundit për llogaridhënie në një shoqëri demokratike. Kur bie shteti ligjor, kur nuk ka më garanci për të drejtat e njeriut, kur s’ka më pushtet gjyqësor, apo legjislativ që t’i bëjë ballë arbitrariteti të qeverisë, besoj se kemi një shanc të fundit. Të ndërtojmë së bashku një konsensus të madh shoqëror që na lidh të djathtë e të majtë sepse kjo që po ndodh nuk ka të bëjë aspak me të majtën. Rritja e taksave, shpërdorimi i tyre, ulja e ndihmës ekonomike,nuk janë tipar i së majtës. Dua t’u them socialistëve shqiptarë, siç u jam drejtuar këto ditë publikisht e t’u them se ndaj me ta të njëjtin frustrim. Përballjen nuk e kemi me ideologjinë e PS, por me mentalitetin e një bande që vjedh, dhe bën batërdinë në një vend të tërë. Ajo që na bashkon dhe duhet të na bashkojë nuk ka të bëjë me ideologjinë. Patjetër që duhem të rakodohemi, që Shqipëria meriton elita të painkriminuara,” deklaroi Basha. 
Sigal