Basha uron Krishtlindjen nga Kisha e Shën Mëhillit në Laç

443
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zgjodhi të urojë besimtarët katolikë për Krishtlindje nga kisha e Shën Mhillit në Laç dhe ajo e Shna Ndout, një vend i shenjtë për çdo shqiptar. Kisha 100-vjecare e Shën Mhillit, ndonëse e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit hapi dyert dhe u bë strehë për banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.

“Unë kam besim tek forca e njerëzve që besojnë në Zot, kam besim se një ditë e shenjtë, siç është dita e Krishtlindjes, ka fuqinë dhe magjinë për të bashkuar shqiptarët për të triumfuar mbi çdo vështirësi, për të triumfuar mbi të keqen. Nëse arrijmë këtë, mund të arrijmë çdo projekt tjetër“,- u shpreh kreu i opozitës, duke theksuar se kishte zgjedhur këtë kishë, në shenjë mirënjohjeje për strehimin dhe ndihmat që ajo dha për banorët me shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.

“Kishën e Shën Mëhillit e zgjodha si një nga kishat e goditura nga tërmeti për të dhënë një mesazh shprese, besimi dhe për t’u lutur për të gjithë njerëzit e goditur nga tërmeti, të gjithë njerëzit në nevojë, për të falenderuar shërbëtorët e Zotit, të kësaj kishe dhe të të gjithë kishave të vendit, që janë gjendur pranë njerëzve në nevojë që në çastet e para të fatkeqësisë, për t’i falenderuar nga zemra dhe për t’u uruar të gjithë besimtarëve katolikë e të krishterë, gëzuar për shumë vjet, dhe mot më mirë”,- ishte urimi i zotit Basha nga Kisha e Shën Mhillit.