Basha: Turizmi, si ¼ e ekonomisë është prioritet për qeveriën e re të PD. Mjaft me terrorin e inspektimeve

82

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi sot Divjakën, e cila ishte e boshatisur nga pushuesit. Në një nga resortet më të bukura të zonës, “Divjaka Resort”, administratori tregoi se punon me gjysmën e stafit, për shkak të mungesës së turistëve.

“Në kohë normale janë rreth 70 të punësuar. Tani punojmë me staf të reduktuar, me 50% pothuajse. Ky resort ka rreth 75 dhoma, të cilat, në vitin e kaluar, që nga periudha e Prillit deri në Tetor, pothuajse, kanë qenë të rezervuara, kurse në këtë moment që po flasim janë zero rezervime.”

Në Resort nuk kishte asnjë klient, megjithëse ai është i pajisur me ambiente sipas standardeve europiane, me pishinë, prodhon perime bio, dhe furnizohet me prodhime të freskëta deti.

“Këtij resorti nuk i mungon asgjë, i mungojnë vetëm turistët. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Ballkan që është vendosur në listën e kuqe të Bashkimit Europian për të paktën deri më 15 Korrik dhe gjasat janë, sipas një bisede që pata me disa përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, gjatë një darke zyrtare, edhe gjatë gjithë muaji Korrik, Shqipëria do të mbetet, zonë e kuqe, zonë e rrezikut. Kjo për arsyen e thjeshtë se ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve të tjera, ku infeksionet po bien, në Shqipëri infeksionet po rriten. Një nga degët kryesore të ekonomisë që e vuan në mënyrë të drejtpërdrejt izolimin e Shqipërisë, mbylljen e kufijve dhe, për rezultat, anullimin e prenotimeve, është turizmi. Ky është lajmi i parë i keq.

Lajmi tjetër i keq është që Divjaka, resortet e Divjakës në hotelet e Divjakës në restorantet turistike të Divjakës, si kudo tjetër në Shqipëri nuk është parë asnjë ndihmë sinjifikative për ta nxjerrë këtë industri, që është një e katërta e ekonomisë shqiptare, nga kriza e thellë që e ka pllakosur. Kjo ka një impakt të drejtpërdrejtë, ka një impakt natyrisht tek sipërmarrja, por sipërmarrja në një situatë të tillë siç e pamë edhe para dy ditësh edhe në Golem, siç e dëgjuat edhe dje, nga tryeza e përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme të sektorit të turizmit, është e detyruar pastaj ta shfryjë këtë tek punëmarrësit, të punësuarit.”- u shpreh zoti Basha.

Administratori i resortit në Divjakë theksoi se nëse situata do të vazhdojë me këtë ritëm, pa asnjë mbështetje, është e vështirë të mbahen punonjësit aktualë. “Problematika kryesore e jona është për faktin që mbyllja e kufijve ka sjellë edhe reduktimin e madh të klientëve, sepse ne punojmë me 90% të klientëve që vijnë nga jashtë. Një përqindje shumë e vogël janë klientë nga Shqipëria. Në një situatë të tillë është shteti ai i cili mund të ndihmojë. Nuk kërkojmë as të na falë asgjë, thjesht të ndihmojë për taksat, të cilat çdo vit vijnë edhe më të larta. Shlyerja e detyrimeve vazhdon sikur s’ka ndodhur asgjë”- theksoi administratori i hotelit.