Basha takon Fleckenstein: Maxhoranca nuk ka vullnet për dekriminalizimin

231
Procesi i dekriminalizimit po zvarritet qëllimisht nga maxhoranca dhe persona me rekorde kriminale janë promovuar në pushtet, ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimit me raportuesin për Shqipërinë pranë PE-së, Knut Fleckenstein.
“Po bëhet një vit nga arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e eurodeputetëve Fleckenstein dhe Kukan, procesi vazhdon të zvarritet nga mazhoranca për të mbrojtur personat me rekorde kriminale që i ka promovuar në pushtet. Partia Demokratike e ka propozuar që para zgjedhjeve vendore projektligjin per dekriminalizimin por nuk u pranua me qëllimin e vetëm që të kandidojë persona me rekorde kriminale të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 Qershorit, siç u faktua dhe në raportin e OSBE/ODHIR-it. Me dhjetra persona të tjerë me rekorde kriminale u emëruan në administratën e qeverisjës qendrore dhe vendore”, tha Basha.
Z. Basha shprehu vendosmërinë e opozitës për kalimin e ligjit të dekriminalizimit dhe implementimin e tij. “Nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive, nga administrata, jashtë nga sferat e vendimmarrjes është pritoritet i Partisë Demokratike”, tha zoti Basha. Basha- Fleckenstein diskutuan edhe për reformën në drejtësi, aferën CEZ, etj.