Basha takim me ish-pronarët: Qeveria Rama ka vënë pronën në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve pranë saj

66

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga shoqata e pronarëve, duke ndarë shqetësimin me ta për lobimin negativ sipas tij të qeverisë Rama për çështjen e pronave.

Basha ka theksuar se, i gjithë korpusi ligjor i qeverisë ka qenë në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të.

Basha thotë se ka siguruar përfaqësuesit e shoqatave të ish-pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare të pronave sipas standardeve evropiane.

Postimi i plotë i Bashës:

Gjatë takimit me përfaqësues nga shoqata e pronarëve, ndamë shqetësimin për qëndrimin dhe lobimin negativ të qeverisë Rama për çështjen e pronave.

I gjithë korpusi ligjor dhe veprimet e qeverisë Rama, kanë qenë kundër pronës private dhe në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të, pjesë e të cilit është edhe ligji i investimeve strategjike në vitin 2015. Sikundër dhe ligji i ri i pronave i cili e trajton pronën private të individit si një mall në shportën e oligarkëve pa pasur respekt për shenjtërinë e pronës dhe zotëruesit e saj.

Duke pranuar përgjegjësitë e PD në të shkuarën për këtë çështje, i sigurova përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve evropiane për pronarët, gjithmonë në konsultim me ta.

Së bashku me ta u dakordësuam për të hartuar një projekt të qartë dhe gjithashtu piketat kyçe të një projektligji që do të zëvendësojë korpusin kriminal të projektligjeve në lidhje me pronën, të miratuar nga qeveritë Rama.

Nën koordinimin e zonjës Ledina Mandia, ne do të ndihmojmë dhe do të ideojmë së bashku me shoqatën e pronarëve një korpus ligjor që do të përpiqet të japë zgjidhjen e duhur për pronën në Shqipëri. Qeveria Rama nuk ka interes raportin e drejtësisë dhe të së drejtës së tyre. Përkundrazi, ajo ka interes vetëm një grusht individësh që përfitojnë në kurrizin e pronarëve.