Basha, sot në SHBA: Nuk ka zgjedhje pa opozitën

490
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të nisë sot një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa dje ai i është përgjigjur qëndrimit të shprehur nga kryeministri Rama, se PS mund të shkojë edhe e vetme në zgjedhje. Në një reagim ku akuzon lidershipin socialist për mbivendosje të pushtetit të karriges mbi vullnetin e popullit, Basha thekson se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. “Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karrigen e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre. Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë”, ka thënë Basha. Ai ka theksuar se, opozita nuk ka asnjë ngut dhe asnjë mëdyshje në qëndresën e saj, se zgjedhje të ndikuara apo të kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Ndërkohë, sot kryetari i PD do të niset për një vizitë në Uashington. Kjo është hera e parë që ai del jashtë vendit pas nisjes së protestës pa ndalim të opozitës. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se vizita e kryetarit Basha në Uashington synon të gjejë mbështetje për kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, që do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Deri tani është ende e paqartë agjenda e takimeve të kreut të opozitës, nëse do të ketë takime vetëm në Kongres, apo edhe në Departamentin e Shtetit. Lulzim Basha pritet të kthehet pas 1 jave në Tiranë, sepse më 27 mars do të jetë në Maltë për Kongresin e Partisë Popullore Evropiane.
Sigal