Basha se lëshon foltoren: Rama e Xhafaj ejani përballuni me të vërtetën. Ruçi ndërpret sërish seancën

528
Sigal

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka mbyllur mikrofonin për të tretën herë kreut të PD-së Lulzim Basha pasi i ka mbaruar koha e përcaktuar dhe e marrë për procedurë. Por sërish Basha nuk e ka lëshuar foltoren, çka ka detyruar Ruçin të ndërpresë seancën sërish.

Më pas kreu i PD-së ka kaluar për disa çaste ‘live’ në “Facebook” ku i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Fatmir Xhafaj të vijnë në parlament e të përballen me opozitën.

“Zoti Ruçi e shoh që keni dështuar në përpjekjen tuaj për të sjellë në sallë dy personazhet. Çfarë kanë më të rëndësishme këta të dy që nuk vijnë sot në parlament të përballen me opozitën, me qytetarët, me median. Përgjigjen për këtë na e kanë borxh ata. Nëse refuzojnë të vijnë në këtë sallë ne jemi gati tua japim me fakte e prova se çfarë gjëje ka më të rëndësishme Rama e Xhafaj që nuk vijnë në seancë. Që i ka detyruar të dy dhe pjesën më të madhe të kësaj qeverie të shpenzojnë gjithë ditën e natën në skenar kriminal në shkatërrimin e fshehjen e provave për hetimet ndaj Saimri Tahirit, ndaj Geron Agron Xhafajn. Edi Rama pjesëmarrës në një skenar kriminal në kuptimin penal jo politik.
Duke mirëkuptuar pafuqinë tuaj, i bëj thirrje Ramës e Xhafajt të dalin nga vrima ku janë strukur të vijnë këtu të përballen me të vërtetën ose të japin dorëheqjen. Thërrit Edi Ramën, Fatmir Xhafën të përballen me opozitën, të përballen me të vërtetën”, deklaroi Basha.

Nga ana tjetër kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se fuqia vjen nga Kushtetuta e ligji dhe se parlamenti nuk është vendi për të treguar forcën.

“Fuqia apo fuqia e një kryetari të parlamenti është kushtetuta, ligji. Në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe rregullores kryetari i Kuvendit ka detyrimin që t’i sigurojë institucionet kushtetuese dhe ligjore të ngritura me ligj të raportojnë për institucionet që përfaqësojnë. Nëpërmjet uzurpimit të foltores nga ana juaj bën që kjo kërkesë e Kushtetutës, e ligjit e rregullores, të mos zbatohet. Nëse e quani pafuqinë time që t’ju heq ju me forcë nga foltorja, Kuvendi nuk është vendi i mundjes, i forcës, është i etikës parlamentare, i kushtetutës, i normave parlamentare ndaj lejoni të zbatohen.
Kryeministri apo ministri vjen në Kuvendin e Shqipërisë pasi deputetë apo grupimet politike kanë kërkuar një seancë pyetjesh, një seancë me debat, një mocion mosbesimi që ju nuk e keni bërë. Nëse ju e bëni menjëherë do thërras konferencën e kryetarëve dhe do ta fus në axhendë. Të dy titullarët janë në krye të detyrës së tyre duke biseduar me aktorë kombëtar dhe ndërkombëtar sipas axhendës dhe në kohën e duhur do jenë në sallën e parlamentit. Prandaj lironi foltoren që drejtuesit e këtyre institucioneve të marrin fjalën dhe të shpalosin detyrimin që kanë. Unë nuk kam një mekanizëm tjetër ku këto institucione mund ta ushtrojnë funksionin e tyre për të dhënë llogari para Kuvendit. Për procedurë një herë jepet fjala, unë ia kam dhënë dy herë”, tha Ruçi.

Por kreu i PD-së tha se në asnjë vend në Shqipëri nuk zbatohet ligji.
“Ju flisni për një realitet që jeton vetëm në kokën tuaj. Në asnjë vend, qytet apo fshat nuk jeton asnjë ligj. Ju e keni therur Kushtetutën më 16 dhjetor duke dhunuar reformën në drejtësi për të vënë në krye të prokurorisë një njeri që të garantonte atë që po ndodh, lirimin e Saimir Tahirit dhe mbrojtjen e Fatmir Xhafaj e Agron Xhafajt.
Ju flisni për ligjin ndërkohë që Florin Onuzin, babain e tre fëmijëve e latë të pësonte atak kardiak në qelitë e burgut. Katër të tjerë i mbani ende në qeli. Me qindra shqiptarë i mbani në qeli në raste të shkelje të ligjit”, tha Basha.

“Rama e Xhafaj nuk kanë asnjë punë të rëndësishme tani përveç se të shpëtojnë lëkurën e tyre. Mision i pamundur. Kësaj here proçka që keni bërë u ka ardhur era. Nuk ju mjafton Arta Marku për t’ju shpëtuar. Kush investon milionat për të shpëtuar Saimir Tahirin? Kush takohet fshehtat me Tahirin? Le të vijnë të përballen me të vërtetën. Nuk ka gjë më të rëndë se një republikë e rënë pa demokraci. S’ka nevojë të hapësh zërin, se më ndjekin në Facebook. Iku koha kur ndalnit fjalën e opozitës. Edi Rama e Fatmir Xhafaj ejani përballuni me të vërtetën”, deklaroi kreu i PD.