Basha rrezikon të humbë mandatin e deputetit, fshehu hetimin nga drejtësia belge

277
Sigal

Lulzim Basha mund të humbasë mandatin deputetit në rast se vërtetohet që ai ka dhënë deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit. Në deklarimet e tij të depozituara pranë KQZ rezulton se kreu i PD-së ka fshehur procesin penal të hapur nga drejtësia Belge për rolin e tij në dosjen e ‘Toyota Yaris’.

Basha rezulton person nën hetim që në prill të vitit 2020, por kjo nuk është pasqyruar në formularin e tij të vetëdekalrimit pranë institucionit të zgjedhjeve. Juristët shprehen se nëse vërtetohet fshehja e të dhënave Basha mund të bëhet subjekt i nenit 190 të kodit penal dhe të shkojë para drejtësisë

Hetimi nga prokuroria Belge ndaj Lulzim Bashës për dosjen e Toyota Yarsi e ka ekspozuar kreun aktual të Partisë Demokratike edhe ndaj ligjit të dekriminalizimit.

Në formularin e dorëzuar në KQZ në datë 8 mars 2021 Lulzim Basha mohon që të jetë apo të ketë qenë në hetim nga ndonjë autoritet i huaj. Në pikën 3 të formularit, pyetjes nëse ‘keni qenë ndonjëherë në hetim nga ndonjë autoritet I huaj për kryerjen e një vepre penale’ Lulzim Basha i është përgjigjur në mënyrë mohuese, siç duket edhe në formularin e dorëzuar nga Basha në KQZ.

Por faktet e e bëra publike në një emision flasin për të kundërtën, që Lulzim Basha po procedohet penalisht nga autoritet Belge për dosjen ‘Toyota Yaris’. Më datë 20.4 2020 Ministria e Drejtësisë i ka dhënë rrugë ekzekutimit të letërporosisë të Autoriteteve Blege të drejtësisë, ku kërkohet nisja e procedimit penal për 11 persona që janë implikuar direkt ose kanë dijeni për çështjen 3.5 milionë eurove të kapura në makinën Toyota Yaris më datë 26 maj të vitit 2018.

Prokuroria Belge çmon se Basha nuk i është përgjigjur katër kërkesave rresht të autoriteteve të drejtësisë atje. Në kërkesën e pestë datë 3 mars 2020 është bërë dhe paralajmërimi i fundit për Bashën, ku është vënë në dijeni se mosparaqitja me datë 17 mars të 2020-ës viti do sillte penalitete, ose më saktë mosparaqitja do shkaktonte procedim penal për Bashën.

Pas kësaj më datë 27 prill të vitit të kaluar Ministria e Drejtësisë I ka hapur rrugë letër-porosisë së autoriteteve Belge me lidhje me procedimin penal të personave të përfshirë në ngjarje. Lulzim Basha është I 11 në renditjen e individëve që prokuroria Belge kërkon nisjen e hetimeve.

Por megjithëse është një hetim penal i mirëfilltë sërish Basha e mohon këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar në KQZ. Në lidhje me këtë çështje u pyetën juristët e fushës, të cilët thanë se në rast se nëse provohet deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit atëherë Basha rrezikon të humbasë mandatin, apo të hetohet në bazë të nenit 190 të Kodit Penal që bën fjalë për falsifikimin e formularëve, vulave apo stampave.

Njësoj siç janë hetuar dhe deputetë apo kryebashkiakë kryesisht nga mazhoranca. Neni 14 i ligjit të dekriminalizimit përcakton qartë se konstatimi i një deklarate të rreme sjell përfundimin e detyrës dhe të funksionit.

Tashmë i mbetet prokurorisë që të hetojë Lulzim Bashën nëse i preket mandate për shkak të ligjit të dekriminalizimit apo nëse është në shkelje të nenit 190 të Kodit Penal për falsifikimin e dokumenteve zyrtare.