Basha-Ramës: Kur ke simbol hashashin, Shqiponja të duket vulgare

654
Sigal

Kryetari i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili u shpreh se “Shqiponja” e vendosur tek Dogana ishte një vulgaritet.

Basha shkruan se kur zgjedh për simbol hashashin Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet, ndërkohë që shton se: për Ramën çfarë nuk sjell pará në xhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë.

“Kur zgjedh për simbol hashashin, Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet. Për Ramën çfarë nuk sjell pará në xhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë, ndaj shkatërron Shqiponjën e 100 Vjetorit të Pavarësisë, për miliona euro që i jep një kompanie fantazëm dhe nën sekuestro.”- shkruan Basha në Twitter.

Ndërkohë me herët kryeministri Rama shkruante se: “Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund.”

Kujtojmë se simboli i “Shqiponjës” ku mori dhe emrin sheshi në hyrje të Tiranës, u hoq ditën e djeshme për shkak të punimeve për ndërtimin e një prej segmenteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Në vendin ku deri dje qëndronte “Shqiponja” është parashikuar të ndërtohet një mbikalim për automjetet.

Vepra e artit me lartësi dhjetë metra u realizua nga artisti Albi Çifligu me kontribut financiar të familjes “Destani” nga Tetova. “Shqiponja” u vendos në këtë shesh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në ceremoninë organizuar për këtë rast morën pjesë kryeministri i kohës Sali Berisha dhe ish-kryebashkiaku Lulzim Basha.