Basha: Rama-Meta s’kanë ofertë, më 21 qershor ta ndalim të keqen

432
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Belshit, Cërrikut dhe Bradasheshit në Elbasan. Banorët e njohën z. Basha me shqetësimet e tyre, që nga rënia e fuqisë blerëse, rritja e çmimit të energjisë e deri tek pamundësia për të blerë ilaçet. Një zonjë i tha z. Basha se po kurohet me kura popullore se nuk ka të ardhura për të blerë ilaçe. Nëpër dyqane gjen të mbivendosura mbishkrime, “nuk japim më veresie”. Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se vota për Pasrtinë Demokratike në zgjedhjet e 21 qershorit do të jetë për tu çliruar nga këto cmime të larta dhe për uljen e energjisë elektrike.
“Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për fatura e kamatë-vonesat, t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë e të blejnë mallrat kryesore, të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’ kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, bukën, kurse ai tjetri s’ka lekë të japë për bukën”, u shpreh Basha.
Në zonën e Dumresë, banorët merren me kultivimin e duhanit dhe shqetësim i tyre është rritja e kostove të punimeve bujqësore për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë. Banorët thonë se marrin me listë plehrat kimike por pamundësia për t’i shlyer i ka bërë që tregtarët të mos ua japin më. Problem, thanë banorët janë gjithashtu faturat abuzive të energjisë dhe emigrimi i madh i banorëve që nuk shohin asnjë shpresë. 
“Kostoja e proceseve është dyfishuar fare…Kjo zgjidhet me votë dhe në 21 qershor ju keni mundësinë që këtë të keqe ta ndalni me votën tuaj por nga ana tjetër, duke votuar për Partinë Demokratike në 21 qershor, ju bëni një zgjedhje për platformën tonë të uljes së çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave për të gjithë banorët e Dumresë”, tha Basha.
Sigal