Basha: Rama-Meta merren çdo ditë me opozitën, se nuk kanë ofertë për qytetarët

437
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëbisedoi me të rinjtë e qytetit të Kukësit. Të rinjtë e Kukësit e kanë njohur zotin Basha me shqetësimet e tyre që nga punësimi, taksat e larta që po falimentojnë bizneset dhe mungesa e shpresës se gjërat do të bëhen më mirë. Kreu i demokrateve theksoi se kjo situatë nuk ka asnjë zgjidhje nga dyshja Rama-Meta, se për ata punësimi nuk është prioritet. 

“Ata merren ditë për ditë me opozitën sepse nuk kanë çfarë të thonë. Sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi falas dhe e kanë katandisur ne ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë. Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar. Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një” – theksoi zoti Basha. 

Zoti Basha, duke iu referuar rastit të dhunës policore në Kukës, ku qytetarët po protestonin për energjinë elektrike theksoi se kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe sot u ofron qytetarëve vetëm dhunë dhe mjerim. Zoti Basha ka theksuar se platforma e Partisë Demokratike parashikon ulje të çmimit të energjisë dhe falje të kamatë-vonesave. 

“Me votën për Partinë Demokratike, në 21 qershor ju do të votoni për alternativën tonë, për uljen me 25 % të çmimit të energjisë dhe faljen e gjithë kamatë-vonesave anembanë Shqipërisë, për të mbajtur hapur të gjitha universitetet publike dhe filialet e tyre nga Kukësi, Peshkopia e kudo ne Shqipëri dhe për të ulur tarifat studentore në nivelin e mëparshëm. Me taksat e rritura shkaktuan krizë ekonomike, eksod për shqiptarët, varfëri për shqiptarët, papunësi për shqiptarët, çmime të larta për shqiptarët, për vete kridhen në lukse të papara. Ne së bashku do të hapim rrugën e taksave të ulëta, më të ultat në Ballkan dhe rikthimin e taksës së sheshtë në të gjitha nivelet”., tha Basha.

Sigal