Basha: Rama-Meta i ikin llogaridhënies, nuk kanë zgjidhje për krizën

408
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e takimeve me banorët e jugut. Nga Saranda, zoti Basha i ka bërë thirrje dyshes Rama- Meta të dalin para qytetarëve dhe të japin llogari për premtimet me të cilat erdhën në pushtet dy vjet më parë. Papunësia është rritur, çmimet janë rritur, taksat janë rritur, varfëria është shtuar, qytetarët vuajnë për bukën e gojës, ndërsa Rama-Meta, tha zoti Basha janë kthyer në aktorë humori që tallen me shqiptarët. “Nuk flasin dhe nuk japin përgjigje për premtimet që dhanë dy vite më parë. Sa të rinj apo të reja nga Saranda janë punësuar këto dy vite, kush paguan sot më pak energji se para dy vitesh, kush paguan sot më pak taksa, kush fiton sot më shumë, kush jeton sot më mirë, kush nga ju i merr ilaçet falas në Sarandë, kush nga ju kurohet falas!?”
Nga Saranda, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përcolli një mesazh edhe për votuesit e majtë të cilët sot janë më të zhgënjyer se qytetarët e tjerë nga keqqeverisja Rama Meta. “Unë e di që në Sarandë ka shumë votues të majtë të 23 qershorit, unë e di që ata janë po kaq të zhgënjyer për mosmbajtjen e premtimeve, për vendet e punës që nuk erdhën e nuk erdhën kurrë, për poshtërimin që i bëhet ditë për ditë nga arroganca e këtij pushteti që i ka shndërruar zyrat e punësimit në motele për qeveritarët, i ka shndërruar në zyra rryshfeti. Ejani t’i japim një mesazh, një mesazh të qartë dhe të prerë oligarkisë që Saranda nuk ka dalë në shitje, që Sarandën nuk e blen e nuk e shet dot Koço Kokëdhima dhe klientela e tij!”
Kryetari i Partisë Demokratike ka bashkëbiseduar dhe me banore të Kardhiqit, Lunxhërisë, Delvinës e Finiqit. Banorët i kanë shprehur zotit Basha shqetësimet për mungesën e subvencioneve të cilat u jepen disa individëve që nuk merren fare me bujqësi. Po kështu, heqja me të padrejtë e ndihmës ekonomike dhe mungesa e rimbursimit të ilaçeve ishin të tjera shqetësime të banorëve të jugut. Në mbyllje të takimeve në jug të vendit, kryetari i Partisë Demokratike u ndal dhe në Nepravishtë, bashkia e Libohovës. Në të gjitha takimet e zhvilluara, zoti Basha tha se e vetmja gjë që lulëzon nën qeverisjen Rama – Meta është propaganda. “E vetmja gjë që lulëzon në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës është propaganda, propaganda e lugës boshe. Edi Rama dhe Ilir Meta flasin për çdo gjë, përveç papunësisë, përveç varfërisë, përveç pamundësisë për të mbyllur muajin, por ju thonë ne nuk duhet të flasim për ulje taksash e nuk duhet të flasim për ulje çmimesh”.
Sigal