Basha: Qeveria, investim në fasada ministrish e luks

471
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se fillimi i vitit shkollor ka sjellë ankth dhe vështirësi për shumë familje shqiptare. “Në vend që të sjellë gëzim, fillimi i shkollës sjell ankth financiar dhe vështirësi për qindra mijëra nxënës dhe familjarët e tyre që paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme. Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm nuk jepen falas, madje që të blesh këto tekste shkollore prindërit dhe nxënësit torturohen me orë të tëra në radhë për shkak të sistemit klientelist të shpërndarjes në pak pika”, shprehet Basha. Sipas tij, librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. “Kjo do të ishte një ndihmë të madhe për familjet shqiptare dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”, nënvizon Basha. Shitja e librave shkollorë edhe këtë vit po shënon fluks dhe radhë të gjata në pikat e licencuara nga Ministria e Arsimit. Orët e pritjes bëhen më të vështira në kohën kur temperaturat janë ende të larta. Ndërsa nxënësit që blejnë librat shkollorë, thanë se nuk ka mungesë të titujve të tyre. Fluksi po shënohet që në ditët e para të tregtimit të librave, pasi një pjesë e prindërve mendojnë se deri në fund nuk do të arrijnë të plotësojnë të plotë paketën e botimeve shkollore. Nxënësit kanë të afishuar katalogun e botimeve që u duhen, ndërsa autoritetet e arsimit u bëjnë thirrje që të sigurohen që botimet të kenë hologramën e Ministrisë së Arsimit.
Sigal