Basha pret Telat Xhaferin: Opozita e vendosur t’i shkojë luftës deri në fund

444
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri. Basha ndau me Xhaferin vlerësimin dhe kënaqësinë që sjell caktimi i tij në krye të Parlamentit në vendin fqinj, si një shenjë kjo e emancipimit politik dhe progresit të shoqërisë maqedonase, si tregues i ecjes përpara në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, dhe si pikë kulmore e bashkëjetesës demokratike.
Partia Demokratike, tha z.Basha, e ka interesin e shqiptarëve dhe interesin kombëtar, në krye të qëndrimeve dhe vokacionit të saj politik. Basha tha se PD ka mbështetur dhe ka nxitur vazhdimisht respektimin dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë, si një interes strategjik i vendit tonë.
Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit me avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe atje, është rruga drejt sigurisë dhe stabilitetit në Maqedoni dhe më gjerë në rajon. Basha shtoi se PD do të vazhdojë të mbështesë pa u kursyer procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO. Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme, kryetari i opozitës, vuri në dukje se rreziku kryesor që kanos ëndrrën europiane për Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit, është korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me qeverinë.
“Korrupsioni dhe krimi i lidhur me qeverinë, janë armiku numër një i demokracisë, i ekonomisë, i qytetarëve”, u shpreh Basha, duke theksuar se përgjigja ndaj këtyre fenomene është ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të pavarura, sidomos atyre të drejtësisë. Lideri i PD-së bëri të ditur se opozita në Shqipëri do të luftojë deri në fund, për Kushtetutën, dhe për drejtësinë e pavarur që lufton krimin e korrupsionin.
Sigal