Basha për kritikat e Berishës: Vendimet janë të miat

500
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për herë të parë për kritikat ndaj të tij të ardhura nga ish-kryeministri Berisha. I pyetur në “Opinion”, Basha e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë për pyetjen, por tha se Berisha nuk ka më vendimmarrje në PD. “Keni katër vjet që bombardoni opinionin publik, se kush i merr vendimet në PD. Keni ngritur skenarë dhe pyetje që vijnë nga kundërshtarët e mi politikë. Unë gjithmonë konsultohem me Berishën për shkak të përvojës, por vendimmarrjet janë të miat”, tha Basha. Kryedemokrati ka folur sërish për marrëveshjen e bërë më 18 maj me kryeministrin Rama. Ai tha se marrëveshja e 18 majit nuk ishte objektivi i tij politik. “Bindja ishte për largimin e Edi Ramës”, vlerësoi kreu demokrat. Basha u shpreh se, nëse nuk do ta pranonte paketën e amerikane, atëherë SHBA-të do të bashkoheshin me Brukselin për zgjedhje pa opozitën. “Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im politik. Unë doja largimin e Ramës. Mirëpo, ishim në kushte kur elementë të BE-së po bënin thirrje për zgjedhje pa opozitën. Erdhën amerikanët dhe ofruan paketën McAllister +. Unë isha i bindur, se me Ramën nuk kishte zgjedhje të ndershme. Nëse PD dhe aleatët do të refuzonin paketën e fundit, SHBA-të do t’i bashkoheshin BE-së se mund të kishte zgjedhje pa opozitë. Nëse ne do të vazhdonim me JO-në tonë nuk do të hynim në Parlament për herë të parë në demokraci. Kauzat tona do të izoloheshin dhe Shqipëria do të kthehej në vitin 1990 me një parti-shtet. Në këto kushte vendimmarrja ishte e detyruar”, tha Basha. Ai tha se vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore dhe për këtë do të angazhohet Partia Demokratike.
Sigal