Basha: PD denoncoi 1400 herë lidhjet e Tahirit me bandën e Habilajt, pse hesht Rama?

537
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë sot para mediave për t’i kërkuar sërish llogari kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Moisi Habilajt nga policia italiane për trafik droge, një nga personat e akuzuar nga PD për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
“Kam thirrur këtë konferencë në orët e para të mëngjesit pasi Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike sa i përket krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjeve të këtij krimi me qeveritarët e sotëm. Ditën e djeshme pas muajsh dhe vite pune policia italiane arrestoi Moisi Habilaj, kreun e një prej bandave më të rrezikshme dhe të fuqishme të trafikut të drogës mes Shqipërisë e Italisë. Moisi Habilaj njihet po kështu edhe si kushëri i Saimir Tahirit për katër vite Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Për 4 vite me radhë PD ka denoncuar mbi 1400 herë lidhjet e Saimir Tahirit me narko-trafikun përmes bandës së Habilajve. Mbi 1400 herë Edi Rama e ka marrë në mbrojtje Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarrë hapat politikë dhe ligjorë edhe atëherë kur lidhja e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve u provua siç ishte rasti i dëshmisë së Dritan Zaganit, kreut të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, i cili denoncoi se banda e Habilajve përdorte mes të tjerave automjetin personal të Saimir Tahirit, ‘Audin’ e famshëm, taksinë e drogës me imunitet ministrot. Prej 24 orësh Edi Rama hesht. Prej 24 orësh në emër të opozitës dhe besoj edhe në emër të gjithë shqiptarëve të ndershëm i kam bërë pyetjen çfarë do thuash tani që Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narko-trafikut”, tha Basha.
Edhe dje Basha denoncoi arrestimin e Moisi Habilajt në Itali duke akuzuar qeverinë për lidhje me këtë klan dhe të ish-ministrit Tahiri. Po ashtu ish-kryeministri Berisha deklaroi dje se edhe vetë ish-ministri Tahiri është në prag arresti.
Akuzave iu bashkëngjit edhe LSI-së, duke i kërkuar llogari kryeministrit Edi Rama. Deputeti i LSI-së Endrit Braimllari tha dje se Moisiu është i afërm i ish-ministrit Tahiri dhe njëri besnik i kryeministrit Edi Rama.
Po dje reagoi edhe ish-ministri i Brendshëm, i cili tha se nuk i bëjnë përshtypje akuzat e kryedemokratit si në kohën kur ishte ministër, por edhe tani.
Sigal