Basha: Pa dekriminalizimin, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, siguri dhe mirëqenie për qytetarët

408
Sigal

Gazeta Telegraf/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e dëgjimit dhe
bashkëbisedimit me drejtues të Partisë Demokratike në degën 9-të në kryeqytet.
Duke iu referuar raportit të Guardia di Finanza, e cila në monitorimin që i ka
bërë vetëm 17% të territorit konstatoi 5 fishim të sipërfaqes së mbjell me
lëndë narkotike. Zoti Basha theksoi se kjo është pasojë e kriminalizimit të
pushtetit dhe emërimit në poste kyçe të personave me rekorde kriminale. Lideri
i opozitës tha se pa zbatuar ligjin e dekriminalizimit në vend nuk mund të ketë
zgjedhje normale, siguri dhe mirëqenie për qytetarët.

“Po të vesh Artur Bushin kryetar të bashkisë së Krujës, çfarë tjetër mund
të presësh përveçse mbulimin e Bashkisë së Krujës nga droga dhe ndërtimin e
aerodromeve të drogës në Bashkinë e Krujës? Po të kesh Artur  Bardhin në
Kurbin, Elvis Roshin në Kavajë, Armando Prengen në Laç, Arben Ndokën në Lezhë e
kështu me radhë nga jugu në veri, çfarë tjetër mund të presësh? Kur
kriminalizon shtetin, kur vendos trafikantët e dënuar në poste kyçe, kur këta
të diktojnë përmes bashkëpunëtorit të tyre më të ngushtë, ministrit të
brendshëm se kë do vesh shef policie, kë do vesh drejtor policie? Kriminalizimi
i shtetit nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri i parapriu kthimit të Shqipërisë në
një hambar droge. Kjo do të thotë se pa zbatuar reformën më të rëndësishme në
vend ligjin e dekriminalizimit, ne nuk mund të ecim përpara, nuk mund të ketë
as zgjedhje, as procese të tjera normale. Siguria mirëqenia janë në
rrezik”.   

Arsyeja pse Edi Rama ka zgjedhur aleancën me krimin, drogën dhe mafian e
plehrave, theksoi kryetari i Partisë Demokratike lidhet me keqqeverisjen e tij
dhe pamundësinë në këto kushte për t’u përballuar me qytetarët në zgjedhje të
lira dhe të ndershme. Plani i Edi Rames tha zoti Basha, eshte qe me para krimi,
droge dhe plehrash të mund të blejë votën e qytetarëve dhe të mos përballet me
mosmbajtjen e asnjë premtimi dhe me shtimin e varfërisë dhe papunësisë.

“Gjithçka ka bërë këto tre vite ka qenë kundër interesit të qytetarëve. Me
klimën asfiksuese ndaj biznesit, ndaj punëdhënësve që ka shkatërruar mijëra
vende pune në vend që të hapte qoftë dhe një të vetëm të ri; me kthimin e 
shëndetësisë shqiptare në mesjetë përmes koncesioneve korruptive dhe
hajdutërisë së Ilir Beqës me Edi Ramën; me shkatërrimin e sistemit arsimor,
duke djegur ëndrrat e mijëra maturantëve. Ndaj kanë vendosur një aleancë të
hapur me drogën, me krimin, me mafian ndërkombëtare të plehrave.“