Basha nuk tërhiqet: Zgjidhje, vetëm qeveria teknike

527
Kryetari PD-së bisedon me ministrin e Jashtëm gjerman, pas deklaratave të ashpra. Pse u zgjat takimi dhe si e sheh opozita daljen nga kriza

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua dje me ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, pas deklaratave të tij të ashpra për qëndrimet e opozitës. Takimi ka zgjatur më tepër se parashikimet dhe kryeopozitari Basha u tha se gazetarëve se kishte shpjeguar gjendjen reale në Shqipëri, për sa i përket krimit e trafikut të drogës, si rreziqe për zgjedhjet. Basha këmbënguli në qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie teknike. 

Ju kërkoi ministri gjerman ndalimin e bojkotit?
“Kam pasur bisedim shumë të frytshëm me të dy ministrat, ministrin holandez Koenders dhe me ministrin gjerman, z.Gabriel. Në qendër të bisedës nga ana ime ka qenë shpjegimi i fakteve reale, me qëllim njohjen e realitetit në Shqipëri, dhe jo të narrativave të prodhuara nga lobistët e paguar me paratë e drogës dhe të korrupsionit. Jam i bindur se vendet që kanë ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të vështirë, por transformues, në këto 27 vite, përfitojnë nga njohja totale e realitetit dhe problemit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka me drogën dhe krimin, dhe jo me injorimin. Sepse injorimi i tonelatave të drogës është një ndëshkim për Shqipërinë dhe një inkurajim për Edi Ramën për të vazhduar për të mbjellë tonelata të tjera dhe për shkatërruar në këtë mënyrë sistemin politik, garancitë për liritë e qytetarëve dhe ekonominë e shqiptarëve. Ndaj në të njëjtën kohë çdo përpjekje për të shkatërruar opozitën është një përpjekje për të shkatërruar demokracinë.

E vetmja rrugë mbetet një qeveri teknike, me mandat politik për të luftuar drogën dhe paratë e drogës, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Partia Demokratike dhe opozita mbeten të hapura për dialog, por dialog të mirëfilltë që shkon në funksion të zgjidhjes së kësaj krize politike dhe jo monologë shterpë që rëndon gjendjen ku ndodhet vendi, kriza në të cilën ndodhet vendi, krizë që ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetën, dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, nga të cilët 10% në këto 4 vite, 300 mijë pra, janë larguar nga vendi. Realiteti nuk mund të injorohet dhe as të fshihet pas propagandës absurde të Edi Ramës, propagandë që nuk i shërben Shqipërisë, nuk i shërben as PS, por i shërben vetëm falangave të krimit dhe aktivitetit kriminal, mbushjes së Shqipërisë me drogë, kapjes së zgjedhjeve të ardhshme për të ruajtur privilegjet dhe pushtetin që kanë në mënyrë që të shumëfishojnë drogën, të shumëfishojnë pasurinë, të asgjësojnë demokracinë, të kapin partitë politike, të kapin Parlamentin, qeverinë, vendimmarrjen, dhe të shndërrojnë shqiptarët në skllevër të ndërmarrjes së tyre të madhe kriminale. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund, jo në emër të llogarive tona politike, as llogarive tona elektorale, por në emër të interesave publike të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë. Padyshim, kam pasur rastin t’i shpjegoj për rrenat e Edi Ramës në raport me vetingun. Fakti është që Edi Rama shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus. SHBA e detyruan për ligjin për të cilin ishin përgjegjës për SPAK-un dhe BKH-në, BE dështoi ta detyronte t’i përmbahej marrëveshjes. Ndaj 6 ligjet janë pa miratimin e opozitës, sepse opozita është përjashtuar nga Edi Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. Në këto kushte, opozita kurrsesi nuk mund të jetë alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, por opozita është e gatshme të ulet me maxhorancën që këto 6 ligje të kthehen në frymën dhe germën e Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vetëm kjo do mundësojë që opozita të ecë përpara me rolin e saj, për sa i përket miratimit dhe zbatimit të këtyre ligjeve. Kjo është rruga e vetme. Gjithçka tjetër është propagandë, gënjeshtër e pastër, e cila është ushqyer me shumicë, të cilën pata rastin sot, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme ta çmontoj në themel, me bashkëbiseduesit e mi, 2 ministrat e jashtëm që takova”.

Ministri i Jashtëm Gabriel ishte shumë i qartë. Nuk e kuptonte dot arsyen e bojkotit, qeveria teknike nuk është opsion për atë. Nëse opozita do ndihmë, jemi të gatshëm ta ndihmojmë. Madje i quajti edhe klika të caktuara ato që bllokojnë reformën në drejtësi dhe bojkotojnë parlamentin. Më qartë se kaq për të bërë mesazh opozitës që të kthehej në Parlament, nuk kishte çfarë thoshte?
“Takimi im me ministrin zgjati goxha. Zgjati pikërisht, sepse pas deklaratës së tij të bërë para takimit me mua, ishte detyra ime, jo në emrin tim, as në emër të Partisë Demokratike, po në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë të paraqisja fakte dhe argumente të pakundërshtueshme, të cilat çmontojnë gënjeshtrat e qeverisë për gjendjen e krimit në vend, për gjendjen e drogës, për impaktin që ka te zgjedhjet dhe natyrisht rrenën për reformën në drejtësi.

E kam bërë këtë me qetësi, me fakte, me argumente, në mënyrën më evropiane të mundshme dhe më është dhënë mundësia ta bëj këtë me ministrin e jashtëm gjerman. Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme, sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend t’i paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhashë. Një gjë është e qartë. Gjithçka që opozita dhe Partia Demokratike ka depozituar, është e bazuar mbi fakte të pakundërshtueshme, jo thjesht të opozitës, por të verifikuara ndërkombëtarisht, siç është raporti i Europol-it për drogën, siç është raporti i Departamentit të Shtetit për drogën. Në një kohë komplekse me njëmijë kriza, e kuptoj që të merresh me këto detaje nuk është e thjeshtë, por për Shqipërinë këto detaje janë gjithçka. Europol e thotë qartë. Shqipëria në 2016 është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të kanabisit, në një vend kyç për shpërndarjen e marijuanës, në një bazë rajonale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë, është inkurajim për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën që të mbjellë dhe tonelata të tjera. Ku do të çojë kjo? Kjo do të çojë në një destabilizim të vendit drejt një rënieje totale të institucioneve të demokracisë, do të dëmtojë Shqipërinë, rajonin dhe Evropën. Ja pra, që beteja jonë, në mënyrë absolute nuk bëhet për fatet tona si parti politike, bëhet për fatin e Shqipërisë, për fatin e Shqipërisë evropiane. Bëhet për vlerat evropiane, bëhet pra edhe në emër të sigurisë rajonale dhe sigurisë evropiane”.

A ju kërkoi z. Gabriel kthimin në Kuvend?
“Diskutuam për reformën në drejtësi, ua thashë edhe një here, dhe çmontova gënjeshtrën e Edi Ramës, se jemi ne që nuk duam Vetingun. I thashë se ne kemi votuar për Vetingun në Kushtetutë, se Vetingu do bëhet, por jo siç e do Edi Rama. As siç e dua unë, sepse Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet bërë nga asnjë kryeministër, kushdo qoftë, Edi Rama, Lulzim Basha apo e shenjta Nënë Terezë. Sepse, siç është e shenjtë në Evropë, që Vetingu i drejtësisë nuk bëhet nga qeveria, sepse është në konflikt interesi. Qeveria është potencialisht e paditur, (kallëzuar) sepse ka në dorë paratë, ka në dorë pushtetin, ka aferat korruptive, në këtë rast dhe krimin. Kush do ta hetojë qeverinë, gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i emërojë Edi Rama përmes mashave të tij? Sepse kështu është ligji sot. Pra, pata rastin ta çmontoj me fakte dhe argumente dhe jo me propagandë, por me fakte dhe argumente, gënjeshtrën e Edi Ramës mbi Vetingun. PD dhe opozita do të kthehen për të votuar të gjashtë ligjet, kur Edi Rama të zhbëjë thyerjen e paktit. Thyerja e paktit, përveçse qe një akt i pa civilizuar, nuk mund të shpërblehet. Nuk mund të shpërblehet dikush që thyen marrëveshjen. Kishte marrëveshjen, e theu atë. Në ligjin për SPAK dhe BKH, SHBA e detyruan për zbatimin e marrëveshjes dhe të gjithë jemi dëshmitarë, që ne e votuam ligjin. Do t’i votojmë të gjashtë ligjet në momentin kur marrëveshja e shkelur të rikthehet dhe këto ligje të garantojnë drejtësi të pavarur, që nuk mbron zyrtarët e korruptuar trafikantët e drogës, por i ndëshkon ata sipas ligjit”.

A do të futeni në zgjedhje dhe a do të ktheheni në Parlament?
“Ky është një vendim që e kanë marrë shqiptarët. Zgjedhje pa qeveri teknike, që të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar ligjin e Dekriminalizimit, duke i nxjerrë kriminelët nga parlamenti, nga bashkitë, nga institucionet e vendit, zgjedhje pa luftuar drogën dhe paratë e drogës, dhe krimin, zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, pra zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të pasur, sepse këto do të çonin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total. Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”.
Ritakohen negociatorët
Janë takuar sërish në fshehtësi të plotë dy negociatorët e dy partive më të mëdha në vend. Mëngjesin e djeshëm Oerd Bylykbashi nga PD dhe Taulant Balla nga PS janë takuar, në përpjekje për të mundësuar një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha. Ora dhe vendi i takimit është mbajtur sërish larg vëmendjes së mediave, ndërkohë që negocitatorët e të dyja palëve janë treguar të rezervuar për të dhënë detaje të takimit. Megjithatë qëndrimet e palëve nuk kanë ndryshuar as në këtë takim të dytë, ndërkohë që negociatorët pritet të takohen sërish.
Sigal