Basha në Shkodër: Aksioni ndaj tregtarëve të duhanit

421
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për përplasjen e policisë me tregtarët ambulantë të duhanit në Shkodër, duke dalë në mbrojtje të qytetarëve. Basha shkruan në faqen e tij të Facebook se “zuzarët e Ramës iu vërsulën fshatarëve të drobitur që shesin sa për të mbajtur frymën gjallë ndërsa po ata taksidarë mbyllin sytë para kontrabandës së cigareve që i ka kushtuar shqiptarëve 50 mln euro”.
“Pasi i mashtroi fermerët se do t’u rrisnin çmimin e duhanit, Edi Rama i ndërseu sot taksidarët e tij të krimbur në ryshfete, ndaj fshatarëve që shisnin aq sa për të mbajtur frymën gjallë. Zuzarët e Ramës iu vërsulën fshatarëve të drobitur jo për të mbushur arkën e shtetit por për të mbrojtur interesat e klientëve të tyre kontrabandistë. Sepse me urdhër e dijeni të Edi Ramës po këta taksidarë mbyllin sytë para kontrabandës së cigareve që ju ka kushtuar shqiptarëve plot 50 milion dollarë të ardhura nga akciza e cigareve që i mungojnë buxhetit të shtetit vetëm në periudhën janar – qershor. Vidh buxhetin, bjeru njerëzve. Ky është regjimi kriminal e i korruptuar i Edi Ramës e Ilir Metës”, shkruan Basha.
Paraditen e sotme, Policia e Shkodrës së bashku me Njesinë e Anti-Kontrabandës dhe Drejtorinë e Doganave kanë përzënë tregtarët e duhanit në lagjen “Rus” dhe u kanë sekuestruar mallin me motivacionin për mungesë dokumentacioni.
Sigal