Basha në seancë: 11 kuksianët e burgosur janë turpi dhe fundi i këtij parlamenti

539
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka marrë fjalën menjëherë pasi opozita është futur në sallën e parlamentit. Fokusi i fjalimit të tij ishin 11 kuksianët që mbahen ende në burg pas arrestimit të tyre për protestën në “Rrugën e Kombit”.
Basha tha se ata janë të pafajshëm se mbahen në burg nga banda kriminale e autokratit Rama. Kreu i PD-së theksoi se 11 kuksianët e burgosur janë turpi i parlamentit.
“Sot është dita e 13 dhe 11 kuksianë të pafajshëm mbahen në burg nga banda kriminale dhe e korruptuar e autokratit Rama. 11 të pafajshëm të dhunuar janë në burg. Ky kryeministër i cili vrasësit dhe përdhunuesit i bëri deputetë, kryebashkiakë dhe politikanë të lartë, i do në pranga 11 kuksianët dhe gjithë shqiptarët e ndershëm. Ky parlament që mbron me zell trafikantin Saimir Tahiri i do në qeli 11 kuksianët e pafajshëm. Ky kryeministër dhe kjo kryprokurore që lanë të arratisje Arbën Çekun dhe i duan të shtypur kuksianët dhe gjithë shqiptarët që ngrenë zërin. Ky kryeministër dhe ministër i brendshëm i duan në burg baballarët dhe vëllezërit në familjet e thjeshta. 11 kuksianët e burgosur janë turpi dhe fundi i këtij parlamenti që ka treguar se nuk ka problem as vrasësit, as përdhunuesit, as kriminelët por nuk mund të tolerojë ata që ngrenë zërin për të drejtat.
Mosi harroni kuksianët. Ata janë ende në burg, liria dhe dinjiteti i tyre ende të dhunuar. Harresa dhe indiferenca e njerëzve janë ato që iu mundësojnë autokratëve të plaçkitin popullin e tyre. Ata treguan se në këtë vend ka ende shpresë”, deklaroi Basha.
Sigal