Basha në Mat: Mbulimi i vendit me drogë, pasojë direkte e inkriminimit të shtetit të Ramës

390
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një  bashkëbisedim me strukturat e Partisë Demokratike të Matit. Në këtë takim, zoti Basha u njoh me shqetësimin e madh të banorëve për kultivimin e drogës. Sipas tyre, trafikantët i marrin gratë dhe të rinjtë si skllevër me sy të mbyllur dhe i çojnë të punojnë në arat e kanabisit, nën mbrojtjen e drejtuesve të policicë që ndajnë me ta paratë e drogës.

Vetë Basha tha se kjo gjendje është pasojë direkte e inkriminimit të shtetit.

Basha: “I hapën dyert krimit, i kandiduan për deputetë, i futën në Parlament, i bënë kryetar bashkish. Por nuk u mjaftuan; i bënë drejtorë në administratë, i bënë shefa komisariatesh e drejtore krimesh si këtu në Burrel. Efekti kulminant i kësaj politike të pastër të inkriminimit të shtetit është mbulimi i gjithë sipërfaqes së vendit nga droga.Mbulimi i vendit me drogë është projekt politik i Edi Ramës.

Ky njeri jo vetëm nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, por që ditën e parë i braktisi ato, nuk u përpoq t’i mbante, nuk kishte ndërmend t’i mbante. Çfarë kishte ndërmend e pamë. Tani që ditët e mandatit po i mbarojnë e kemi fare të qartë se çfarë kishte ndërmend. Kishte ndërmend që buxhetin ta mbante për vete dhe për një grusht miqsh. Kishte ndërmend që krimit që e solli në pushtet dhe e mban në pushtet t’i hapë dyert e drogës dhe popullin ta vinte përpara disa alternativave; varfëri, emigracion, burg ose argat në kooperativën e drogës të Edi Ramës me shokë.”

Sot, tha zoti Basha, çdo shqiptar e ka të qartë se me Edi Ramën situata vetëm do të përkeqësohet.

Basha: Në fund të mandati ai s’ka asnjë bilanc, prandaj shpreson që me paratë e drogës dhe shantazhin e krimit të grabisë votat e qytetarëve. Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje.

Kreu i Partisë Demokratike artikuloi kushtet e patjetërsueshme të opozitës.

Basha: “Dy janë kushtet të patjetërsueshme: zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”