Basha në Delvinë: Gjendja e rëndë e vendit kërkon ti prijmë ndryshimit, jo ta presim atë

460
Sigal

Lulzim Basha me demokratët e Delvinës: Hapje,
bashkim, qendrim pranë qytetarëve

Lulzim Basha u tha demokratëve të Delvinës se
gjendja në vend është e padurueshme dhe ka ardhur ora e ndryshimit. Realiteti
është dramatik, shqiptarët janë braktisur nga qeveria që ekziston në botën e
saj të luksit.

“Në këto 3 vite janë dhënë 1 miliardë dollarë
për shëndetësinë, por jo vetëm që nuk është shpenzuar asnjë lek për
përmirësimin e shërbimit i cili është përkeqësuar, por paratë kanë shkuar në
2-3 klientë të Edi Ramës. Ndërkohë që Shqipëria po lëngon nga papunësia, nga
varfëria, nga padrejtësia dhe po zbrazet nga rinia, nga qytetarët, nga të
papunët por edhe nga profesionistët, kur populli është i përmbytur, Edi Rama
merr avionin për eskpozitë në  Nju
Jork.  Sëmundja e dermatozës nodulare bën
kërdinë tek fermerët në zona të tëra të Shqipërisë, Edi Rama merr avionin dhe
shikon ndeshje sporti. Shqiptarët kërkojnë atë që është e tyrja dhe u takon,
kërkojnë Shqipërinë, resurset e Shqipërisë, buxhetin e Shqipërisë të përdoret
për shqiptarët, të përdoret për shumicën”, tha Basha.

Thirrja për demokratët është e qartë. Demokratët i
kanë prirë ndryshimit dhe nevojave të vendit qysh ditën e parë te krijimit.

“Kurrë Partia Demokratike nuk ka qënë në bisht
të ndryshimit. Gjithmonë i ka prirë asaj. Ndaj sot jemi mbledhur këtu, jo vetëm
për të ndarë dhe diskutuar hallet dhe problemet e përditshme, por edhe rrugët e
zgjidhjes që kalojnë përmes platformës tonë të kthimit të pushtetit tek
qytetarët, të kthimit të Delvinës tek banorët e Delvinës, të kthimit të
Shqipërisë tek shqiptarët. Por po kështu për të vendosur kursin e aksionit tonë
politik që do të mundësojë që ky konsensus i madh qytetar të kthehet në një energji
politike, të kthehet në një bashkësi të madhe që tejkalon konturet e partisë
tonë politike dhe kështu me votë të largojmë qeverinë e pakicës dhe t’ia
kthejmë qeverisjen dhe Shqipërinë shumicës, qytetarëve, shqiptarëve. Bashkimi
dhe hapja janë në funksion të njohjes së realitetit, të vërtetave të
qytetarëve. Atë që nuk e bën Edi Rama, atë që nuk e bën dot ai, ne duhet ta
bëjmë me çdo kusht. Ne duhet të njohim realitetin ku jetojnë bashkëqytetarët
tanë”, theksoi Lulzim Basha.