Basha me Mediun, për strategjinë e opozitës

520
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i sapokthyer nga Kopenhageni ku mori pjesë në Asamblenë e Partive Popullore, e ka nisur sezonin e ri politik në takime me aleatët. Basha ka biseduar për rreth një orë me kryerepublikanin Fatmir Mediu mbi prioritetet e opozitës në këtë legjislaturë. “Diskutuam gjerësisht për angazhimet e deputetëve të opozitës në parlament dhe koordinimin e të gjithë forcave opozitare në veprimin opozitar të djathtë. Edhe për pritshmëritë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese që kanë nevojë për një angazhim të gjithë nivelit të ekspertëve brenda opozitës para se të diskutojmë për marrëdhënien me qeverinë”, tha Mediu. Ai komentoi edhe qeverinë e re, ndërsa tha se kabineti i Edi Ramës nuk sjell asgjë, përveçse do t’i rikthehet skemave të korrupsionit. “Qeveria, një histori e vjetër me pazare të reja. Kur flasim për qeveri të vogël nuk është çështje numrash, por autoriteti. Përqendrimi i autoritetit në duart e kryeministrit dhe të disa njerëzve, në mënyrë të qartë është marrja e së drejtës së qytetarëve, individëve apo bizneseve në duart e një grupi njerëzish. Shqipëria për fat të keq po rrëshqet çdo ditë e më shumë në një kontroll të qeverisë mbi çdo pushtet dhe të drejtat e individit”, tha Mediu. Aleati i Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, nuk zbuloi skenarin për seancën e parë të Kuvendit. “Ka iniciativa për protesta dhe diskutime, por nuk ishte pjesë e diskutimit”, tha Mediu.
Sigal