Basha me FMN: Droga, korrupsioni dhe rritja e taksave kanë zhytur vendin në krizë

Gazeta Telegraf/


Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha priti në
një takim shefen e misionit të FMN-së për Shqipërinë, zonjën Anita Tuladhar dhe
përfaqësuesin e FMN-së në Shqipëri, z.Jens Reinke.

Kreu i opozitës Basha theksoi se situata është dramatike
në të gjitha aspektet e jetës së vendit, për shkak të korrupsionit, kapjes së
shtetit nga një grusht oligarkësh dhe individësh me rekorde kriminale, drogës,
gjobave dhe arbitraritetit të tatimoreve, gjë që ka sjellë mbylljen e mijëra
bizneseve, varfërim të përditshëm të shqiptarëve, rritje të përdoruesve të
lëndëve narkotike dhe një situatë depresive për shoqërinë.

Taksat u rritën, informaliteti është në nivelet më të
larta, transparenca është në nivelet më të ulëta historike, ndërkohë që rritja
e çmimit të karburanteve, rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët dhe
bizneset ka shkaktuar problem mbijetese për bizneset dhe ka përkeqësuar
treguesit jetësorë për qytetarët.

Zoti Basha ndau me drejtuesit e misionit të FMN-së
shqetësimet e mëdha të opozitës, për gjendjen kritike të ekonomisë shqiptare si
rezultat i politikave të gabuara të qeverisë “Rama”, dhe korrupsionit në çdo
fushë të menaxhimit të financave publike. Rritja e taksave si dhe skemat
korruptive të koncesioneve kanë zhytur vendin në krizë.

Ndonëse rriti taksat, qeveria ka dështuar të shtojë të
ardhurat, theksoi zoti Basha i cili u ndal dhe në  rritjen e pakontrolluar
të borxhit publik, nga 62.7% të PBB në 2013-ën, në 72-73% që vlerësohet
aktualisht dhe në të njëjtën kohë janë rritur detyrimet e pashlyera të qeverisë
ndaj palëve të treta.

Nuk ka asnjë investim publik,  investimet e nisura
para 3 vitesh vazhdojnë të jenë me të njëjtin status, ndërkohë që miliona euro
shkojnë për shëtitore me palma, shatërvanë si edhe për shpenzimet e luksit; për
vetura qeveritare, për rikonstruksione zyrash.

Tenderat dhe koncesionet të cilat në 50% të rasteve bëhen
pa garë e në rastet e tjera përzgjidhen ofertat më të larta, fitohen nga një grusht
oligarkësh pranë kryeministrit.

Aferat korruptive me koncesionet nuk kanë të ndalur,
theksoi zoti Basha, duke u ndalur tek koncesionet në shëndetësi, që i marrin
buxhetit të shtetit 350 milionë euro pa i dhënë asnjë shërbim qytetarit
shqiptar.

Buxheti i shtetit trajtohet si pronë private e
kryeministrit, theksoi zoti Basha dhe sektorë jetikë si bujqësia janë lënë pas
dore. Nuk ka asnjë investim në infrastrukturë ndërsa subvencionet i marrin
vetëm 50 persona të lidhur me qeveritarët.

Mbledhja e të ardhurave vazhdon të jetë në rënie,
megjithëse taksat janë rritur si shkak i korrupsionit të lartë në tatime dhe
dogana. Z. Basha theksoi se investimet publike kanë shkuar për fasada dhe
investime sipërfaqësore, pa asnjë impakt në ekonomi e punësim.

Ky vit, tha zoti Basha shënon vitin me prodhimin më të
madh të drogës në vendin tonë. Kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejt e
kriminalizimit të shtetit nga Edi Rama, theksoi Basha, dhe refuzimit për të
zbatuar ligjin e  dekriminalizimit.

Paratë e drogës janë të destinuara për të korruptuar
funksionarë të shtetit dhe për të blerë votat, theksoi kreu i demokratëve,
Lulzim Basha.