Basha mbledh të enjten kryesinë për përzgjedhjen e deputetëve, Shehu: Momenti për ribashkim

270
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur paraditen e të enjtes mbledhjen e kryesisë për të miratuar udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga anëtarësia përmes parimit një anëtare një votë. Kjo vendimmarrje shënon edhe aktin e parë të opozitës në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Një formular tip është hartuar edhe për të gjithë kandidatët që synojnë të jenë përfaqësues të demokratëve në parlamentin e ardhshëm. Paralelisht kryedemokrati ka nisur kontaktet për të rikthyer në Partinë Demokratike disa prej ish-funksionarëve të lartë në vite, ku ftesa e parë iu drejtua ish-ministrit Genc Ruli. Për ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Tritan Shehu ky është momenti që të gjithë demokratët të bëhen bashkë në funksion të rotacionit politik në zgjedhjet parlamentare. “Opozita shqiptare ka nevojë për të gjithë ata që aspirojnë në Shqipëri. Për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj përmbysje të madhe e cila do të ndodhë në Shqipëri sepse ka nevojë për të. Për të gjithë ata që duan të kontribuojnë, për opozitën shqiptare, për PD, absolutisht asnjë nuk është i tepërt”, shprehet ai. Shehu është i bindur se lidershipi i PD duhet të japë mesazhin që selia blu është e hapur për të gjithë ata që duan të angazhohen në politikë. “Shqipëria që të dalë nga ky batak që është ka nevojë për të gjitha kapacitetet e saj. Kapacitetet që janë në Shqipëri dhe që nuk ja në sot, të edukuar në perëndim, me një vizion të qartë, njerëz me kontribute të këtushme. Prurje të reja vlera që janë në Shqipëri, vlera që janë jashtë Shqipërisë sepse vetëm në këtë mënyrë do të gjenerohet ajo që i duhet Shqipërisë, përmbysja e madhe”, tha më tej Shehu. Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë nga strukturat e Partisë Demokratike në rrethe pritet të mbarojë në muajin shtator, ndërkohë që një komision i posaçëm do ti kalojë të gjithë kandidatët në filtrin e figurës.