Basha: Kush hesht për drogën, nuk i bëhet vonë për Shqipërinë ose është i korruptuar

469
Sigal

Gazeta Telegraf/


Vetëm
në  Tetor 
janë kapur 7 ton drogë në Itali, 5 ton në Greqi  dhe 15 ton në Shqipëri


Po
konsultohemi me aleatët, qytetarët, shoqërinë civile lidhur me qëndrimin tonë
në raport me parlamentin dhe përballjen me regjimin e narkotrafikut.


Një
vendim i përbashkët do të çojë drejt një aksioni të përbashkët dhe një aksion i
përbashkët i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë, që
refuzojnë krimin, që duan rikthimin tek ligji dhe jo kthimin e Shqipërisë në
një republikë hashashi nuk ka shans të mos kurorëzohet me sukses të plotë.


Prononcim për mediat i
Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit
Parlamentar:


Në mbledhjen e grupit u
diskutua për gjendjen e rënduar në vend, e cila ka ardhur në përkeqësim edhe
gjatë kësaj jave. Unë, deputetët, demokratët, të gjithë së bashku jemi në një
diskutim të vazhdueshëm, jo vetëm të brendshëm por edhe me qytetarët shqiptarë,
me aleatët tanë, me shoqërinë civile për temat kryesore që shënojnë jetën e çdo
shqiptari. Përmes përkeqësimit, siç është ekonomia në krizë të vazhdueshme; siç
është problem i madh i shëndetësisë që sa vjen e përkeqësohet ndërkohë që
rryshfetet për klientët e Edi Ramës shtohen; siç ishte fasha e shtuar për  Vilma Nushin që është treguesi i dështimit
nga njëra anë i skemës së check-up-it dhe nga ana tjetër treguesi më i qartë i
skemës së vjedhjes dhe i dështimit të shëndetësisë falas.

Problemi i madh i
maturantëve i cili nuk mund të fshihet pas demagogjisë dhe propagandës ka lënë
mijëra maturantë në një gjendje të papranueshme për Partinë Demokratike, për
mua, për familjarët e tyre, për qytetarët. Ku pavarësisht punës së tyre,
meritës së tyre, preferencës së tyre nuk kanë arritur të ndjekin degët që
dëshirojnë, për shkak të skemës së korruptuar dhe hileqare të Edi Ramës e cila
pa asnjë transparencë iu mohoi përmes paaftësisë dhe zinxhirit buroktarik që të
shkojnë të studiojnë në atë degë që meritojnë, dhe për të cilën kanë dhënë kaq
shumë gjatë viteve të gjimnazit, gjatë viteve të shkollës së mesme.

Po pa dyshim temat
kryesore kanë qenë temat e kriminalizimit dhe e drogës, e cila ka shpërthyer në
të gjithë dimensionet e saj edhe gjatë javës në vijim. Shqiptarët, por jo vetëm
edhe faktori ndërkombëtar e ka të qartë, se Edi Rama është në krye të një
qeverisje që është bërë njësh me kartelin e drogës.

Vetëm gjatë muajit
tetor dhe akoma pa u mbyllur tetori, Italia raporton të ketë kapur 7 tonë
drogë.

Greqia ka kapur 5 tonë
drogë. Vetëm  këtu në Shqipëri sipas
raportimeve të deritanishme janë kapur 15 tonë drogë, në operacionet kryesisht
të drejtuara nga Prokuroria.

Pra, janë policia
italiane, policia greke, prokuroria shqiptare, vetëm qeveria e Edi Ramës e ka
të pamundur të  kapë drogë.

Dhe Edi Rama i del për
zot drogës, aty ku janë kapur 26 tonë drogë, thotë 26 kile. Ç ‘është kjo nevojë
që ndjen ky kryeministër për t’i ardhur në ndihmë trafikantëve, për t’i
justifikuar rezultatet e aksioneve të cilat ndërmerren si rezultat i përkushtimit
dhe integritetit të një grusht punonjësish të Prokurorisë apo edhe të Policisë
që vihen në funksion të operacionit?!

Kjo tregon degradimin e
plotë të shtetit shqiptar, kjo tregon se me Edi Ramën, Republika e Shqipërisë
është kthyer në një narko-republikë.

Kjo është arsyeja përse
nuk po ecet përpara me ligjin e dekriminalizimit. Pse nuk kemi asnjë person të
vetëm, as Elvis Roshin që nuk e di nëse ka mbetur njeri faqe globit pa e marrë
vesh se çfarë është dhe çfarë përfaqëson. Asnjë person i vetëm nuk është
subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe e gjitha kjo është pjesë e një skeme
të madhe për të prishur dhe kapur zgjedhjet e ardhshme.

Partia Demokratike e
konsideron të papranueshme fakti që prej muajit maj, depozitimit të platformës
tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria, Edi Rama jo vetëm ka
heshtur, por praktikisht ka asgjësuar reformën zgjedhore. Sot qëndrimi ynë
është i qartë, zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën nuk ka dhe nuk
mund të ketë.

Ndaj beteja jonë
parlamentare ka kuptim për aq kohë sa i jep zë aspiratës mbarë qytetare për
dekriminalizimin, për luftën kundër drogës, për zgjedhje të lira dhe të
ndershme dhe për denoncimin me fakte konkrete të mizeries, të mjerimit ekonomik
që është mbjellur kudo me pasoja në shëndetësi dhe në arsim.

Sa i përket pjesës
tjetër, ne e konsiderojmë Parlamentin tashmë një organ të delegjitimuar dhe një
organ i cili qëndron si një kësulë mbi kokën e një shteti narko-trafikant.

Qëndrimet tona do të
jenë të përshtatura me këtë konsideratë, jo vetëm tonën por të shumicës së
shqiptarëve për shumicën parlamentare. Qëndrimi ynë do të përshkallëzohet më
tej si rezultat i konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët, jo vetëm me
anëtarësinë e Partisë Demokratike, por edhe me shoqërinë civile, me aleatët tanë
politikë, me qytetarët anembanë vendit.

Pyetje:
Pse bëhet opozita z.Basha pjesë e një institucioni të delegjitimuar, siç thatë
ju për Parlamentin? A mendoni një skenar për t’u larguar?

Basha:
Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Por ndërkohë ne do të përdorim
hapësirën institucionale opozitare për të goditur me të gjithë forcën e
argumentit, për të demaskuar me të gjithë zërin opozitar që i jep zë hallit,
brengës, denoncimit, refuzimit, përballjes së qindramijë qytetarëve. Së bashku
me qytetarët do të vendosim se me cilën formë aksioni do të përballemi me këtë
regjim narko-trafikantësh që e quan veten qeveria e Shqipërisë.

Pyetje:
Z. Basha si e konsideroni qëndrimin e LSI, por fillimisht të shprehur nga
ministri i Drejtësisë Ylli Manjani që situata është serioze për kanabisin dhe
duhet angazhuar edhe ushtria? Z. Meta tha që janë shqetësuar edhe
ndërkombëtarët për këtë.

Basha:
Është një simptomë e gjendjes ku ndodhet vendi kur anëtarë të kabinetit apo
bashkëdrejtues të maxhorancës detyrohen të pranojnë atë çka ne kemi thënë
tashmë prej një viti, se Shqipëria është kthyer në një narko-republikë. Sepse
çdokush që hesht përpara kësaj, shqiptarë apo i huaj ka vetëm dy motive:
indiferencën ose korrupsionin. Ose është indiferent dhe nuk i bëhet vonë për Shqipërinë
ose është i korruptuar.

Pyetje:
Z. Basha keni idenë juve personalisht për tu larguar nga Parlamenti?

Basha:
Ne po diskutojmë, e diskutuam sot në grupin parlamentar, në aktivet e Partisë
Demokratike, me aleatët tanë, me shoqërinë civile, me qytetarët të gjitha
format e kundërvënies ndaj këtij regjimi narko-trafikantësh që e quan veten
qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Gjithçka që po ndodh,
shikoni të dhënat që kanë dalë para dy ditësh; mosrealizimi i të ardhurave,
mosrealizimi i investimeve, gjendja ekonomike është derivat i kriminalizimit të
plotë të vendit. Ne e paralajmëruam, ne luftuam, ne miratuam një ligj, ligji
nuk u zbatua dhe nuk zbatohet sepse Edi Rama ka patur prej fillimit një plan,
që ta hedhë lumin e krizës ekonomike, të papunësisë, të varfërisë, të
emigracionit, që ka provokuar me keqqeverisjen e tij duke e kthyer Shqipërinë
në një hambar droge.

Ndaj sot, jo vetëm unë,
jo vetëm Partia Demokratike dhe opozita, por gjithë qytetarët duhet të
reflektojmë e të vendosim së bashku se si do të përballemi me këtë regjim
narko-trafikësh. Dhe padyshim një vendim i përbashkët do të çojë drejt një
aksioni të përbashkët dhe një aksion i përbashkët i shumicës së dërrmuesve të
shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë, që refuzojnë krimin, që duan rikthimin
tek ligji dhe jo kthimin e Shqipërisë në një republikë hashashi nuk ka shans të
mos kurorëzohet me sukses të plotë. Dhe suksesi i plotë është largimi i Edi
Ramës dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme ku
shqiptarëve tu ofrohen alternativa reale të zhvillimit dhe punësimit. Dhe jo
alternativa e vetme që ka sot Edi Rama që është drogimi i shqiptarëve, drogimi
i fëmijëve të tyre.

Pyetje:
Keni një koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “Vetting”-un që
pezulloi ligjin?

Basha:
Është një vendim i ndërmjetëm, ne presim vendimin përfundimtar. Pa dyshim si
vendim i ndërmjetëm është një vendim i drejtë sepse i mohon Edi Ramës mundësinë
që përmes qehajajve të tij, përmes drejtorëve të tij, të vendosë se cilët
gjyqtarë dhe cilët prokurorë janë të korruptuar dhe cilët nuk janë. Sepse kjo
nuk eshte ajo për të cilën shqiptarët dhe opozita luftuan dhe kulminuan me
konsensusin e 22 korrikut. Pra, është një vendim që i hap rrugën zbatimit të
Kushtetutës së 22 korrikut.