Basha ia thotë në sy: “Nuk të lejohet hyrja në SHBA”. Ja reagimi i Ruçit

329
Në fjalën e tij në parlament ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një përmbledhje të mandatit të parë të qeverisë Rama në këto 4 vite.
Mes të tjerash Basha nuk i kurseu akuzat në drejtim të Ruçit në Parlament duke shtuar se është ndaluar “që nga 2005 të hyjë ne SHBA”. Ndërkohë, Ruçi nuk i ktheu asnjë përgjigje Bashës.
Lideri opozitar e akuzoi kryeministrin se s’mbajti asnjë premtim nga ato që dha në 2013-n, për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, hapje negociatash me BE.
Lulzim Basha gjithashtu e akuzoi Ramën se qeveria e tij është lidhur pashmangshmërisht me bandat e krimit duke e mbushur vendi me drogë.
“Para 4 viteve Rama erdhi këtu si kryeministër, shpalli 300 mijë vende pune, rend e siguri, shëndetësi falas, hapje negociatash me BE dhe premtime të tjera. Dje pas 4 vitesh rikthehet pa mbajtur asnjë premtim. Ti si kryeministër nuk dhe kurrë llogari. Të gjithë e dinë, se nëse zgjedhjet do të ishin të lira, nuk do të ishe sot aty.
Për mua dhe opozitën është ora të bëjmë bilancin e munguar. Rama1 është qeveria e parë që nuk solli asnjë arritje, fati ishte që Brukseli miratoi programin e Berishës. 4 vite asnjë zhvillim, por janë bërë hapa mbrapsht, pasi disa qeveri europiane po mendojnë kthimin e vizave për shqiptarë. Rama1 është qeveria që ka marrë borxhin më të madh publik në histori. 3 mld dollarë borxh në 4 vite. Krijoi borxhe të reja ndaj biznesit shqiptar, gati 300 mln euro. Rama1 është e para qeveri që nuk ka bërë asnjë investim në transport.
Qeveria e parë që është akuzuar për kapje nga krimi i organizuar. Qeveritë e huaja i dhanë ultimatum Rama1 që të hiqte Ministrin e Brendshëm, i lidhur me bandat e drogës. Rama1 solli eksodin më të madh të shqiptarëve, gati në të njëjtin nivel me Sirinë. Mbi 56% e shqiptarëve duan të largohen. Rama1, marrëdhëniet me dy partnerët kryesore, Italinë dhe Greqinë, i ka kthyer në nivelin e kohës së komunizmit. Rama1 vuri si prioritet marrëdhëniet me Serbinë, që përveç takimeve me batuta me Vuçiç, nuk kanë sjellë asnjë efekt. Rama1 vuri në jetë aleancën me krimin. Rama1 krijoi projektin e Shqipërisë nën drogë. Partia Demokratike dhe unë të vendosur dhe të vetmit luftuam pa kompromis kundër kësaj sëmundjeje fatale. E mbushi vendin me drogë, parlamentin e mbushi me kriminelë, kjo nuk mbulohet dot. Do të luftojmë edhe më të vendosur për kauzën tonë për interesin e njerëzve. Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme është beteja më e madhe për vendin,” tha Basha.