Basha: Hapja e PD drejt qytetarëve, e vërtetë dhe e pakthyeshme

436

Komentet e Lulzim Bashës me mediat, pas mbledhjes
së grupit parlamentar 

 

Sot
ndër të tjera kemi diskutuar për fillimin e një procesi bashkëbisedimi për
hapjen e Partisë Demokratike dhe për forcimin e demokracisë së brendshme. Dua
të ndaj me ju se këto ditë kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët shqiptarë,
të cilët dua t’i falenderoj, mesazhe të shumta inkurajimi dhe shprese, por nuk
ka qenë të pakta mesazhet e dyshimit dhe të pasigurisë. Unë e kuptoj dyshimin e
një shoqërie të zhgënjyer thellësisht me politikën, e kuptoj sepse në të
shkuarën, edhe kur ka lindur një dritë shprese është shuar, edhe kur ka patur
një mundësi reale për të ndryshuar, është zbehur. Por dua t’i siguroj ata, se ndryshimi
i Partisë Demokratike, hapja e saj do të jenë të vërteta, të besueshme dhe të
pakthyeshme. Makiazhet, apo gjërat e lëna përgjysëm do të minonin jo vetëm
besueshmërinë e Partisë Demokratike, por do të minonin shanset për një ndryshim
pozitiv në Shqipëri. Ndaj, i siguroj se do të ndërtojmë së bashku me ta një
proces i cili të japë garanci të plotë se ndryshimi do të jetë i vërtetë, një
ndryshim tek i cili mund të besojnë dhe të mbështeten për të përmirësuar jetën
e çdokujt në Shqipëri. Procesi do të jetë i vështirë, udhëtimi ynë do të jetë i
vështirë. Do jetë i sulmuar dhe i anatemuar, nga elitat që kontrollojnë,
politikën, ekonominë, median. Por jam i bindur se bashkë me shqiptarët do t’ia
dalim që Partia Demokratike të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo
shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu, sepse në thelb
ajo që do të ndërtojmë së bashku është një Shqipëri që nuk ofron mundësi vetëm
për një grusht njerëzish, të cilët duan me çdo kusht të ruajnë gjendjen
aktuale, të ruajnë status-quo-n, por një Shqipëri që ofron shanse për të
gjithë. Ky është një proces në të cilin do të përfshihen të gjithë demokratët,
grupi parlamentar, kryesia, këshilli kombëtar, degët e Partisë Demokratike,
është një proces i cili ka për qëllim hapjen e Partisë Demokratike për këdo që
është gati dhe dëshiron të japë kontributin e tij dhe të saj për një udhëtim i
cili ka për pikëmbërritje jo thjesht dhe vetëm një rrotacion politik, por një
politikë në shërbim të njerëzve, e jo në shërbim të elitës dhe një grushti
njerëzish. Do ta nisim brenda Partisë Demokratike, do ta nisim duke e bërë
Partinë Demokratike plotësisht një parti të shqiptarëve, një parti të
Shqipërisë, e jo parti drejtuesish që kanë për qëllim ardhjen e tyre ne
pushtet, dhe me rregullat, normat, parimet që do të zbatojmë, do të japim
garancinë tonë me vepra, jo me fjalë, që po kështu, nesër do të ndryshojmë
Shqipërinë. Kjo është një temë që ka konsumuar një diskutim në këto muaj, është
diskutuar sot gjerësisht në grupin parlamentar dhe nga e cila presim zhvillime
pozitive në javët në vazhdim për t’i paraprirë vendimmarrjes sonë dhe aksionit
tonë politik.

 

-Z.Basha, a e morët në analizë sot humbjen në
Kolonjë?

Për
Kolonjën mund t’ju them vetëm se, kushdo që kërkonte një provë tjetër, jo se
ishte e nevojshme, ja ku e ka. Në një zonë ku historikisht e majta ka qenë e
avantazhuar, nuk iu përmbajtën dot nevojës për të shkatërruar procesin zgjedhor
përmes shitblerjes së votës dhe presioneve siç mediat e kanë dokumentuar shumë
mirë.

-Z.Basha, flisni për një proces të vështirë, por në
fakt ndoshta i referoheni të gjitha humbjeve që PD i ka patur në përballje
elektorale që prej 2013-ës, në çdo sfidë, ku ju keni rezultuar humbës. Kjo
është arsyeja që ju e konsideroni proces të vështirë të bashkimit, të gjithë
elitave dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë?

 

Jo
në fakt. Ajo që po mundohem të transmetoj përmes jush është diçka tjetër, që
interesat e këtyre që prishin zgjedhjet, që blejnë votat, që kanë kthyer
Shqipërinë në hambar droge, janë interesa miliarda euroshe dhe me këto miliarda
euro që në fakt i takojnë taksapaguesve shqiptarë, në vend që të bëhen
investime, në vend që të hapen vende pune, në vend që t’u vihet në ndihmë të
sëmurëve, fëmijëve nëpër shkolla, përfiton një grusht njerëzish. Beteja është
me këtë pakicë, me këtë elitë të inkriminuar dhe të korruptuar e cila ka
interes pasurimin e saj dhe për pasurimin e saj nuk ndalet, as para kapjes dhe
prishjes së zgjedhjeve, as para blerjes, kapjes dhe vënies në kontroll të
medias, as para shkeljes flagrante të ligjit, as para paktit me krimin, por
mund dhe do të ndalet me një aleancë të madhe qytetare, e cila duhet të besojë
në një ndryshim të vërtetë, ndaj procesi do të jetë i vështirë, sepse kur ky
grusht njerëzish kontrollon pasuritë e shqiptarëve, kontrollon buxhetin e
shqiptarëve, do ta kuptojë se përballë nuk ka thjesht një parti politike që
kërkon të vijë në pushtet, por ka një vullnet të madh politik të Partisë
Demokratike dhe të qytetarëve për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në
qendër të të cilit të jetë shporrja e këtij modeli, ky grusht njerëzish që
kontrollojnë pasurinë sigurisht do të bëjë rezistencë të plotë me të gjitha
format dhe mënyrat, siç po bëjnë edhe sot jo për hir të parimit, por për hir të
milionave që fusin në xhep ditë për ditë në kurriz të shqiptarëve të papunë, të
varfëruar dhe të sjellë deri në kafshatën e bukës për fëmijët dhe gjendjen më
katastrofike të shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti.

 

-Zoti Basha konkretisht cfarë do të thotë hapje e
PD

Ju
dhe të gjithë kolegët tuaj do të keni mundësinë në mënyrë të zgjeruar dhe të
plotë të bëni pyetje, të merrni informacione nga unë dhe nga të gjithë
përfaqësuesit e PD. Ajo që desha të njoftoj sot është që ky proces është futur
në një faze finale që bashkëbisedimi për hapjen dhe për demokracinë  e
brendshme në PD do të cojë në një produkt politik, në një vendimmarrje politike
dhe qëllimi është të sjellim një ndryshim tek i cili njerëzit besojnë, tek një
rreze drite që nuk shuhet dhe nuk do të shuhet me ardhjen e PD në pushtet, por
do të ndryshojë demokracinë duke i fuqizuar qytetarët, duke i bërë ata zotërit
e vërtetë të Shqipërisë, resurseve të saj, buxhetit të saj, dhe të ardhmes së
fëmijëve të tyre

 

-Ndonjë gjë konkrete

Po
mundohem të shmang arrogancën dhe cinizmin, që janë pronë e kundërshtarit
politik. Mesazhi ka qenë i qartë. Ju realitetin politik e njihni. Konkretisht,
kjo do të thotë që PD bëhet gati për një hapje të vërtetë, jo makijazh.
Konkretisht kjo do të thotë që së bashku me demokratët do tu ofrojmë
shqiptarëve një parti politike për interesat e tyre, jo për interesat e mia, apo
drejtuesve të kësaj partie. Dhe ky është një proces i vështirë por ne e dimë
rrugën përmes të cilës ecet, sepse është një rrugë që shoqëritë normale e kanë
bërë dhe prandaj janë shoqëri normale, drejt të cilave duan të emigrojnë sot
70% e popullsisë së Shqipërisë. 

-Po ndërkohë përsa i përket demokracisë së
brendshme 

Padyshim
është një proces dhe nuk mund të përmblidhet në një intervistë duke qëndruar
këtu në këmbë, por mund të përmblidhet në një sërë vendimesh që do ti japin
rrugë hapjes së PD, për të thithur në gjirin e saj të gjithë ata që duan të
kontribuojnë që të mos ketë gardh as fizik dhe as mendor, për të dhënë
kontributin e tyre në një demokraci pjesmarrëse për qytetarët. Mekanizmat,
mënyrat sesi do ta bëjmë këtë të mundur, që të mos jetë makjazh as përfaqësim i
zgjedhur me dorë, por të jetë me të vërtetë produkt i besueshmërisë së re të PD
në raport me dëshirën e cdo shqiptari për ndryshim, këto ne do ti shohim e do
ti dëshmojmë së bashku.

 

-Kur do ti prezantoni drejtuesit e zgjedhur nëpër
qarqet e vendit sepse jeni shumë vonë duke marrë në konsideratë se pala tjetër
e ka bërë këtë gjë prej kohësh

Pala
tjetër është hedhur në sulm për të ruajtur status-quon, për të ruajtur
privilegjet e tenderave, të prokurimeve që vjedhin, për të zhvatur, për të
vazhduar paktin e tyre me krimin. Pra nuk është thjesht cështje caktimi, është
cështje e një përqasje të re, në thelb të të cilës do të jetë hapja, do të jetë
demokracia e brendshme, kufizimi i pushtetit, dhënia e vendimmarrjes
anëtarësisë së PD, garantimi i qytetarëve se ndryshimi që ne do të sjellim dhe
do ta sjellim, do të jetë një ndryshim i vërtetë dhe jo makjazh. Do të jetë
ndryshimi tek i cili ata mund të besojnë dhe që do të ndryshojë jetët e tyre
dhe jo thjesht jetën apo fatin e  drejtuesve të një partie politike.

 

-A do të afroni ata të cilët janë larguar për shkak
të Sali Berishës? Dhe ka plot demokratë të tillë

Pyetja
juaj është e paragjykuar se nuk mund të thuash që janë larguar prej këtij apo
atij. Një gjë ju them, bashkimi i cdo demokrati në respekt të diversitetit të
mendimit të cdo kujt, është deviza që unë kam shpallur prej ditës së parë si
kryetar i kësaj partie dhe do të jetë patjetër një nga parimet kryesore të
bashkimit dhe të hapjes si procesi që do ti japë rrugë një shprese të re për Shqipërinë
dhe një politike në thelb të së cilës do të qëndrojë ndryshimi i vërtetë dhe jo
thjesht rrotacioni politik.

 

-Ju flisni për hapje partie por strukturat janë
ende në zgjedhje dhe ende nuk e keni mbyllur. A e dëmton kjo PD?

Njëra
nuk e përjashton tjetrën. Procesi i zgjedhjeve është drejt përmbylljes, 
është një proces që tregon dinamizmin e PD, kërkimin gjithmonë të më të mirit,
të më të zotit përmes votës së anëtarëve dhe jo tekave të kryetarit, dhe është
një nga themelet e punës që do të cojnë më tutje dhe do ta kulminojmë me këtë
hapje të re dhe me një zgjerim të demokracisë së brendshme në PD.

 

-Z.Basha ju flisni për demokracinë e brendshme, por
z.Selami pak kohë më parë kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe nuk u
realizua, nuk ja dhatë këtë mundësi, ai nuk i mbledh dot firmat.

Këshilli
Kombëtar është mbledhur dhe mblidhet për të marrë vendime të rëndësishme të PD.
Dhe padyshim si të gjitha forumet, si grupi parlamentar, si kryesia e PD, si
Këshilli Kombëtar do të kenë rolin e tyre në vendimmarrjen që na pret. Por
kësaj vendimmarrje do ti prihet nga një bashkëbisedim i sinqertë ku çdokujt i
kam kërkuar, deputetëve, kryetarëve të degëve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar,
anëtarëve të PD të kontribuojnë, edhe të tjerëve, simpatizantëve, mbështetësve,
pse jo edhe kritikëve tanë, të kontribuojnë pra për një proces të vërtetë dhe
jo për një makiazh. Për një proces të vërtetë nga i cili PD do të dalë si një
parti moderne, përfaqësuese, e vërtetë e shumicës së shqiptarëve që kërkojnë
një ndryshim tek i cili mund të besojnë, jo thjesht rrotacion.

 

-Po ju e nisët një hapje të tillë para dy vitesh…

Hapja
ka nisur para tre vitesh, dhe jo para dy vitesh. Hapja ka vazhduar çdo ditë.
Por sot produkti i kësaj hapje do të reflektojë aleancën tonë me qytetarët për
të cilën kemi folur gjithë këto vite para betejës së madhe, për tia dhënë
qytetarëve në dorë pushtetin që iu takon.

Sigal