Basha dhe Majko takohen për Asamblenë e NATO-s

478
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dhe deputeti socialist, Pandeli Majko, janë takuar paraditen e sotme në hotel “Rogner”. Takimi ka zgjatur rreth 30 minuta dhe ka pasur në qendër Asamblenë e NATO-s, e cila sivjet mbahet në Tiranë. Majko, i cili është kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë e NATO-s, i ka bërë ftesë kryetarit të PD-së të mbajë një fjalë në këtë eveniment. Ndërsa kreu i demokratëve, Basha, tha se e vlerëson kontributin e Majkos ndër vite. “Folëm për një bashkëpunim për Asamblenë e NATO-s që mbahet në Tiranë. Vlerësoj rolin e zotit Majko dhe do të shohim ç’mund të bëjmë në këtë drejtim. Jam i hapur për bashkëpunim”, tha Basha. Mësohet se pjesë e diskutimit Basha-Majko ka qenë edhe reforma në drejtësi.
Sigal