Basha denoncon manipulimin e zgjedhjeve në takimin me ministren austriake

160
Sigal

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha denoncoi manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në takimin me ministren austriake të Evropës dhe Kushtetutës, Karoline Edstadler, të enjten.

Basha akuzoi qeverinë se ka tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, në bashkëpunim me “krimin e organizuar”, “personave në listën e zezë të SHBA” dhe “familjarë të personave që u nxorrën jashtë nga ligji i dekriminalizimit”.

Fushata e tjetërsimit, shtoi ai, përfshin edhe përdorimin e paligjshëm të administratës, vjedhjen e të dhënave personale të shtetasve, si dhe përdorimin e buxhetit të shtetit për qëllime elektorale.

Basha informoi Edstadler mbi rreth 180 padi që PD ka depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve, të cilat nuk janë hetuar.

Ai shprehu vendosmërinë “për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri”.