Basha: 120 mln euro që paguan në vit për koncesionet, do shkojnë për modernizimin e arsimit

473
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga takimi me të rinjtë në Korçë, u ka premtuar atyre se ndryshe nga Rama që u jep 120 milion euro oligarkëve, në qeverisjen e tij këto para duhet të shkojnë për modernizimin e arsimit.

‘Arsimi duhet të jetë prioriteti i çdo kombi që synon përparim. Siç është rinia sot, do të jetë vendi nesër. Vendet e përparuara mbështesin arsimin parauniveristar me buxhet në rritje.

Shqipëria është i vetmi vend, ku nuk ndodh kjo. Buxheti është pasqyra e qeverisjes, por këta ende nuk e kanë publikuar. Po ju tregoj një shifër që është rrënqethëse: 120 mln euro janë planifikuar vetëm për koncesionet, 10 apo 12 të tilla.

Do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë një revolucion total për universitetet dhe arsimin e lartë. Me vetëm 35 mln euro do të mund të financonim tarifat për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta.

Të njëjtën shumë ne do të dedikojmë për infrastrukturën, dixhitalizimin, trajnimin e pedagogëve, sjelljen e pedagogëve të huaj, trajnimin profesional sipas modelit gjerman – gjysma e kohës në fakultet, gjysma në praktikë.

Në planin tonë, për 10 mijë më të mirët, ne do të paguajmë stazhin për 1 vit. Ja ku do t’i çoja unë dhe qeveria ime këto para sot dhe ja ku i ccon kjo qeveri. 120 milionë euro i marrin 6-7 njerëz, që janë vjedhje të pastra.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ndryshojë menjëherë cilësinë e universiteteve shqiptare.  Por kjo qeveri zgjedh t’ua japë këto para disa oligarkëve dhe lë rininë në mëshirë të fatit’-tha Basha.