Barley: BE të mos  lejojë veten të shantazhohet nga qeveritë autoritare

156
Sigal

Zëvendës Presidentja e Parlamentit Evropian, Katrina Barley paralajmëron nisjen e padisë për KE. Ursula von der Leyen po vepron me mëdyshje dhe Europës i kanosen dëmtime të pariparueshme në luftën kundër qeverive autoritare dhe të korruptuara të cilat po shkelin Liritë dhe parimet e së Drejtës.Sot Holanda vendos për kushtet e Shqipërisë, ditët e agonisë së pluralizmit në vend dhe shancet e fundit për ndërhyrje!

Në “Spiegel”, në faqen kryesore politike, dje u botua intervistë ekskluzive me Katarina Barley, 52- vjeçare, zëvendës Presidente e Parlamentit Evropian prej dy vjetësh dhe përgjegjëse për çështjet e shtetit të së drejtës. Politikania e SPD-së, ka qenë Ministre Federale e Drejtësisë, kolege në kabinetin qeveritar me Ursula Von Der Leyen, si edhe Sekretare e Përgjithshme e partisë së saj. Intervista ka këtë titull: “BE nuk duhet ta lejojë veten të shantazhohet”

“Në luftën kundër qeverive autoritare, Parlamenti Evropian do të padisë Komisionin Evropian. “Ursula von der Leyen po vepron me mëdyshje dhe Evropës i kanosen dëmtime të pariparueshme”

Ja intervista e plotë e zv/Presidentes së Parlamentit Evropian, Katarina Barley, për “Spiegel” :

‘SPIEGEL’: Zonja Barley, Parlamenti Evropian po i jep Komisionit të BE-së një ultimatum: Nëse Komisioni nuk ndërmerr veprime vendimtare kundër vendeve si Polonia ose Hungaria, ku sundimi i ligjit është në rrezik, atëherë eurodeputetët do të padisin Komisionin. Pse kaq i ashpër reagimi?

BARLEY: Kjo është një histori e gjatë. Viktor Orbán qeveris Hungarinë që nga viti 2010, PiS në Poloni që nga viti 2015. Të dy qeverisjet janë duke u përpjekur jo vetëm për të çmontuar shtetin ligjor në vendet e tyre, por edhe për ta minuar atë në të gjithë Evropën. BE nuk po i reziston kësaj sa duhet. Ne nuk duam e, nuk do ta pranojmë të vijojë më gjatë.

“Mund të kuptohet fare mirë se kush gjendet nga regjimet autoritare në këtë listë. Derisa po veprohet mbi vende anëtare të BE-së, imagjinoni çfarë rezistence do të ketë për aspirantet, përfshi Shqipërinë.”

SPIEGEL: Për një kohë të gjatë, BE nuk ka patur mjete efektive të mbrojtjes.

BARLEY: Po, e vërtetë. Për këtë arsye, nën presionin e Parlamentit, ne vendosëm për mekanizmin e sundimit të ligjit që hyri në fuqi në fillim të vitit. Kjo bën të mundur që të ndëshkohen shtetet që nuk u përmbahen parimeve të BE-së duke mos i financiar nga buxheti i BE-së.

‘SPIEGEL’: A mendoni se duke bllokuar fondet e BE-së, Polonia dhe Hungaria mund të binden të kthehen prapa?

BARLEY: Do të jetë shumë e vështirë që PiS dhe Viktor Orbán të ndryshojnë sjelljen e tyre. Sigurisht, ata përdorin retorikën tashmë të njohur se Perëndimi, që i ka lënë pas dore, moralisht dëshiron t’u imponojë vlerat e tij. Çështjet e ndarjes së pushteteve dhe një gjyqësor i pavarur nuk janë çështje opinioni, apo veçorish kombëtare, ato janë më së pari themelet e Komunitetit tonë Evropian. Tani ka edhe më shumë vende që po ndjekin një rrugë të tillë problematike. Sllovenia është një prej tyre, për shembull. Është e rëndësishme të bëhet e qartë se, kjo ka një çmim. Përndryshe, Evropa do të pësojë dëme të pariparueshme.

Ndërkohë lajmi kryesor i kudogjendur në mediat gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Welt, Süddeutsche Zeitung”, qe ky: “Nga fillimi i korrikut, Sllovenia do të marrë Presidencën e Këshillit të BE-së, udhëhequr nga Kryeministri, Janez Jansa. Dy eurodeputetet kryesore gjermane paralajmërojnë evropianët për Presidencën Sllovene të Këshillit të BE-së: “Unë u bëj thirrje të gjithëve me përgjegjësi në nivelin Evropian, Shteteve Anëtare, Komisionit Evropian, Parlamentit dhe mediave, që të mos i japin Jansa një mundësi për retorikën dhe politikën e tij anti-demokratike”, tha Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Katarina Barley (SPD). Politikania e krahasoi Jansa me kryeministrin hungarez Viktor Orbán: “Ai vepron shumë ngjashëm me Orban në përpjekjen për të kapur shtetin”. Presidenca gjashtëmujore e Sllovenisë në BE do të jetë “një kohë sfiduese”, tha Barley. Politikania e FDP Nicola Beer, eurodeputete dhe nënkryetare e Parlamentit Evropian paralajmëron po ashtu: “Kryeministri Jansa duhet të jetë i gatshëm të negociojë zgjidhjet evropiane, e të mos shndërrohet vetë në një problem evropian,” Beer akuzoi Kryeministrin e Sllovenisë se nuk pranon të bashkëpunojë me Prokurorinë Publike Evropiane (të sapo krijuar) për fyerjen e mediave kritike. “Kushdo që denigron agjencitë e lajmeve sllovene si një turp kombëtar rrezikon lirinë e shtypit dhe krijon presion të papranueshëm ndaj gazetarëve dhe portaleve.” Jansa duhet “të jetë i përgatitur se ne do të mbikqyrim nga afër presidencën e tij të BE-së dhe nuk do të hezitojmë të kritikojmë haptas sjelljen e tillë si të patolerueshme, pavarësisht pozicionit”, tha Beer.

Marrë nga Welt: https://www.welt.de/politik/ausland/article231831429/Vergleich-mit-Orban-Beer-und-Barley-warnen-Europaeer-vor-EU-Vorsitz-Sloweniens.html?fbclid=IwAR0o7e3k4CEl7qldRkXfd1Uo7brtTNZ_7Mjpz_o6iN2CX0u9w-pg2vhSN5A