Banorët e Sharrës kërkojnë pronat e tyre, bllokojnë hyrjen e landfillit

250
Sigal

Banorët e Sharrës protestuan edhe këtë të premte për atë që e konsiderojnë grabitje të pronave të tyre. Mbrëmjen e  sotme ata bllokuan hyrjen për në landfill.

“Po na grabitni tokën”, “Policia të mos kërcënojë banorët”, “Jemi autoktonë”, “Duam kompensim real, jo lëmoshë” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar.

“Ose të na zhvlerësojnë tokën sipas tregut ose të heqin rrethimin. Na kanë marrë tokat. Nuk japin përgjigje as në bashki, thonë nuk u takon. E kam me certifikatë tokën” thotë një prej banorëve.

“Një metër tokë nga prona jonë nuk kushton 4 mijë lekë të vjetra, ndërsa një ton mbeturina që hidhet te toka jonë kushton 28 euro, i merr bashkia. Pse nuk del një drejtues të na sqarojë” tha një banor tjetër.

Disa minuta më pas aty mbërriti dhe policia. Ata u futën brenda ambienteve të landfillit, por nuk patën ndonjë konfrontim me protestuesit.

Banorët protestojnë prej 5 ditësh për pronat e tyre dhe ende nuk  kanë asnjë përgjigje as nga bashkia dhe as kompania.

“E kanë mendjen te lekët ata, jo te ne.”