Neutralizohen terroristët e Vuçiç pas ekzekutimit të 1 polici dhe plagosjen e 2 të tjerëve në veri të Kosovës. Njësia Speciale e Kosovës arreston në Manastir të Banjaskës, dhjetëra sulmues terroristë, një pjesë anëtarë të ish-grupit të “Arkanit” dhe të tjerët të “Vagnerit” të Putinit që kishin hyrë me armë të rënda dhe veshje ushtarake në territorin e Kosovës. Ja reagimet e politikës europiane, shqiptare dhe diplomatëve
Neutralizohen terroristët e Vuçiç. Njësia Speciale e Kosovës arreston në Manastir të Banjskës, dhjetëra sulmues terroristë.
Bandat famëkeqe të Vuçiç, të njëjta me ato të Millosheviçit vijojnë vrasjet. Hyjnë me armë të rënda dhe veshje ushtarake në territorin e Kosovës.
Një ngjarje e rëndë u rregjistrua rreth orës 02:34 në fshatin Banjska të Leposaviç. Njësitet për reagim të shpejtë dalluan se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda, kamionë pa targa, duke e bllokuar lëvizjen. Policia tha se njësitë e rendit të stacionit policor në Zveçan, pas marrjes së informacionit, janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit, ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe minahedhës dhe si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”. Polici i vrarë është Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë. Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm në Veriun e banuar me shumicë serbe, në një ngjarje, që mund të rrisë tensionet me Serbinë, në një periudhë përpjekjesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Policia e Kosovës dha detaje nga ngjarja. Sipas saj dy kamionë bllokuan rrugën, autorët e maskuar qëlluan në drejtim të makinës së policisë.
Në pasditen e vonë të së dielës, forcat policore të Kosovës ndërhynë në Manastirin ku qëndronin të strehuar agresorët. Si pasojë e ndërhyrjeve disa prej agresorëve u vranë, ndërsa të tjerë u arrestuan. Policia e Kosovës njoftoi të dielën arrestimin e gjashtë sulmuesve agresorë, të cilët në mëngjesin e sotëm sulmuan Policinë e Kosovës ku ka mbetur i vdekur një polic dhe një tjetër i plagosur. “Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar, të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme. Sipas njoftimit zyrtar nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur. Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar, të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, -thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës. Në zonën e fshatit Banjska, sipas Policisë, situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale. Në pasditen e së dielës Policia njoftoi se përfundoi aksionin e njësive Speciale në Manastir të Banjskës, duke arrestuar dhjetëra sulmues terroristë, të cilët janë dërguar në stacionin policor në jug. Aty ende po qëndron policia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: Sulm terrorist i organizuar me mbështetje nga Beogradi
Në një konferencë për shtyp Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dënoi ashpër sulmin e ndodhur ndaj policisë në Kosovë që sipas Kurtit ishte një sulm terrorist i mbështetur nga Beogradi. “Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me këtë rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.” – tha Albin Kurti
Reagon fort Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Autorët të sillen para drejtësisë
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Veri, duke thënë se dënojnë ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Ambasadori Hovenier ka thënë se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e ligjit në Kosovë. “Dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”,- thuhet në reagim.
BE dënon sulmin në Veri të Kosovës, Josep Borrel: Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar për vrasjen në Veri. Borrell e ka dënuar këtë sulm dhe ka kërkuar që autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë. “Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”,- tha Borrell.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: Të gjithë të qëndrojmë të bashkuar, sovraniteti i Kosovës po sfidohet nga Serbia.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dënoi rëndë ngjarjen e ndodhur të dielën në Kosovë. “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.”.
Reagon Presidenti i Shqipërisë për ngjarjen në Kosovë: Akt kriminal, cënim i rëndë i sigurisë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj dënoi me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës të dielën. “Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”
Kryeministri i Shqipërisë reagon për ngjarjen në Kosovë: Komuniteti euroatlantik të ulë me imponim Kosovën dhe Serbinë në dialog.
Kryeministri Edi Rama për ngjarjen në Kosovë tha se “Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e BE dhe SHBA, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.” – tha Rama.
Sulmi ndaj policisë në Kosovë, Ilir Meta: Të ndëshkohen autorët e ngjarjes kriminale.
Ish-Presidenti i Shqipërisë njëherësh Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar të dielën sulmin ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë. Përmes një reagimi Meta dënoi sulmin dhe theksoi nevojën e rëndësishme të sundimit të ligjit. “Partia e Lirisë dënon sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq me pasojë vrasjen e një punonjësi policie dhe plagosjen e një tjetri. Kjo ngjarje e rëndë dhe e përsëritur tregon domosdoshmërinë e sundimit të ligjit. Mbështesim Policinë dhe autoritetet e Kosovës për të garantuar sigurinë publike dhe ndëshkuar autorët e kësaj ngjarje kriminale.” – tha Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Veri të Kosovës, ku në fshatin Banjska në Leposaviç u sulmua patrulla policore e Kosovës nga ku mbeti i vrarë një punonjës policie dhe 2 të tjerë u plagosën.
Vrasja e policit në Kosovë, Berisha: Sulm terrorist i organizuar nga ultranacionalistët e Beogradit.
Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha dënoi përmes një reagimi, me forcën më të madhe aktin e shëmtuar e kriminal që sipas tij është i sponsorizuar nga ultranacionalistët në pushtet të Beogradit. Berisha të dielën nisi reagimin mbi ngjarjen duke thënë: “Sulm terrorist në Liposaviq ndaj policisë së Kosovës. Bie në krye të detyrës një polic dhe plagoset një tjetër.” Në reagimin e plotë ai tha: “Banda kriminale serbe në Liposaviq kanë ekzekutuar me atentat një polic të Kosovës dhe plagosur një tjetër. Duke u përulur me nderim të thellë para sakrificës sublime të policit që ra në krye të detyrës dhe shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të tij, uroj shërim të shpejt të policit të plagosur dhe dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal, të frymëzuar dhe sponsorizuar nga ultranacionalistë në pushtet të Beogradit. Uroj që autorët e këtij akti të përballen me ligjin me të gjithë forcën e tij.” – tha ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.