Bamirësia e interesit të Edi Ramës mes shqiptarëve dhe italianëve

434
itali-shqiperi
Sigal

Nga Carloalerto Rossi

I dashur Neritan,

E lexova me shumë interes komentin tend dje mbi misionin e famshëm të mjekëve shqiptarë në Itali. Më lejo të të shpreh disa mendime të miat.

Si gjithmonë dhe shpesh me qëllim, kur flitet për marrëdhëniet italo-shqiptare prodhohen ngatërrësa mes rrafsheve të ndryshme—mes marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe atyre ndërmjet dy qeverive; mes thelbit konkret dhe propagandës së imazhit; mes politikave dhe taktikës; mes historisë së vërtetë dhe historisë së manipuluar nga propaganda; mes dashurisë dhe frikës; mes leverdisë dhe shpresës; mes iluzionit dhe miteve—ashtu edhe mes shumë anëve plot dritëhije, që ka prodhuar në shekuj raporti i gjatë dhe i ndërlikuar historik, i cili deri tani nuk është shqyrtuar asnjëherë pa lentet e propagandës.

Që shumë, madje jashtëzakonisht shumë shqiptarë e duam Italinë, kjo është e padiskutueshme; që Italia e ka ndihmuar gjithmonë Shqipërinë, edhe kjo është e padiskutueshme, por që këto të dyja kanë ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet institucionale mes dy vendeve, kjo është tezë që nuk mund të mbrohet me siguri.

Që shqiptarët shpesh janë bujarë me atë që është i dobët dhe në vështirësi, është e vërtetë, dhe për këtë unë ofroj si dëshmi përvojën time—por që shqiptarët, si kultura dominuese në popullsinë e Shqipërisë (me disa përjashtime), janë mirënjohës në mënyrë racionale, të qëndrueshme dhe konkrete me këdo, kjo është në përgjithësi një vlerësim i pamatur, që rrëzohet nga kronika e përditshme dhe historia e vendit dhe që dëshmohet nga tensionet e përditshme ndërpersonale të jetës shqiptare.

Që veprimi i Ramës ka prodhuar një jehonë të jashtëzakonshme mediatike në Itali, është sigurisht e vërtetë, dhe që kjo jehonë ka krijuar shumë emocione pozitive, është gjithashtu e vërtetë—por që ky reagim italian është në shpërpjesëtim të jashtëzakonshëm me përmasat e vërteta të ndodhisë, kjo vërtetohet lehtësisht po t’i hedhësh një një sy listës së gati 10 mijë mjekëve dhe 20 mijë infermierëve italianë që i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për të punuar përkohësisht në spitale, dhe për një shpërblim shumë herë më të vogël se sa ai që do të marrin mjekët dhe infermierët shqiptarë nga qeveria e tyre.

Fatkeqësisht edhe kësaj here, Rama dhe qeveria shqiptare zgjodhën rrugën boshe, në ajër, atë të propagandës, apo siç e quajnë në Evropë “komunikimit publik”, në vend të rrugës konkrete dhe më të vështirë të përmbajtjes.

Edhe kësaj here, shumë shqiptarë të Italisë u gënjyen nga emocioni i çastit dhe jo nga cilësia e vërtetë e produktit “Shqipëri”, që është i vetmi marketing që mund të përmirësojë realisht gjendjen e tyre si të huaj që po integrohen në shoqërinë italiane.

Ata e lanë veten të mashtrohen edhe një herë nga i njëjti mekanizëm që i detyroi të merrnin rrugët dhe të emigronin.

Ky produkt, që me këtë lëvizje gjeniale marketingu e veshëm si për festë, është një produkt shumë i dobët i një sistemi që edhe një herë nuk arrin të merret me fëmijët dhe me qytetarët e vet, as në atdhe dhe as jashtë tij, as për t’i ushqyer dhe as për t’i kuruar.

Dhe ky sistem mund të mbijetojë prapë edhe për ca kohë falë këtyre trukimeve mediatike.

Në sistemin kulturor kristian të solidaritetit, mëshira, bamirësia bëhen në heshtje, sepse të tregosh mburrje është një mëkat i madh, sepse bamirësia bëhet ngaqë është e drejtë dhe sepse është një dhunti nga Zoti.

Më pas erdhën spekullantët e OJQ-ve dhe dhurues të tjerë interesaxhinj privatë, të cilët kanë ndërtuar një model biznesi dhe një instrument sundimi.

Në ndihmat ushqimore të Italisë në vitin 1991 shkruhej vetën “Dhuratë nga qeveria italiane” dhe askush nuk e mban mend që kryeministri i atëhershëm ishte Xhulio Andreoti, ndërsa në Shqipëri filluan të vepronin dhjetra vullnetarë pa fytyrë dhe pa emër të Caritas-it dhe të shumë organizatave të tjera vërtetë jo-fitimprurëse.

Pra, nëse qeveria shqiptare do të kishte shoqëruar 30 vullnetarë të vërtetë dhe pa daulle, atëherë do të kishim parë një gjest të madh të solidaritetit të popullit shqiptar.

Do të kishte qenë një vepër e vërtetë bamirësie, nëse nuk do të kishin ndërhyrë deklarimet retorike të një kryeministri që prej gati 7 vitesh vazhdon të tallet me Italinë, duke i lejuar vetes të përhapin vazhdimisht numra dhe histori false, por funksionale për qëllimet e strategjive të komunikimit. Do të kishte qenë akoma më shumë bamirësi e ndershme nëse nuk do të pasohej nga intervista të vazhdueshme të Ramës, miti shumë i kuruar i të cilit kohët e fundit është zvenitur dhe ka nevojë për shkëlqim.

Ajo që pamë dje ishte në fakt një skenografi groteske, një mundësi e krijuar qëllimisht për të bërë foto me 30 “vullnetarët” shqiptarë që zbresin nga avioni të veshur me rroba të bardha mbrojtëse, të pritur në shkallët e avionit nga një spekullant po kaq i madh, i cili kam kam frikë ka qenë edhe regjizor, përveçse përfitues i spektaklit—ministri italian, i cili pa asnjë dyshim është idhtar i së njëjtës shkollë si e kryeministrit shqiptar, sipas së cilës është më e rëndësishme të propagandosh sesa të bësh.

Dhe këtu, fatkeqësisht, i dashur Neritan, të shpreh një dyshim timin, fatkeqësisht të dhimbshëm për mua, se tashmë ndihem patriot i të dy kombeve.

Ende nuk e kam kuptuar nëse ky teatër lindi nga një ide e Ramës apo nga një ide e Italisë, sepse reagimi në kor i mediave të lidhura me qeverinë në Itali të bën të mendosh shumë, me mbipërpjekjen e tyre të madhe mediatike dhe një lumë editorialesh të embëlsuara, tonet dhe retorikën në shpërpjestim me gjestin.

Mediat e regjimit në Itali prej disa ditësh janë angazhuar në propagandën me temën e solidaritetit kinez, rus, kuban, dhe tani shqiptar, për ta vënë në kontrast me solidaritetin e munguar të Evropës.

Trupat mjekësore të diktaturave më të fundit botërore vijnë në Itali dhe tregohen si suksese të politikës sonë të jashtme, e cila, fatkeqësisht, pas shumë përbetimeve në mbështetje të parimeve demokratike, tani është zvogëluar në nivelin e mburrjes së rolit (të parëndësishëm) në krizën shëndetësore të ekipeve të diktatorëve, në vend që të ballafaqohet me vendet e duhura për të marrë atë që na takon si komb.

Një qeveri e dobët dhe politikisht me paterica (ajo italiane), e paaftë për një përgjigje të organizuar efikase dhe të menjëhershme (siç tregonte, ndër të tjera, historia e 9 mijë mjekëve dhe 20 mijë infermierëve të gatshëm, por ende të pavendosur në frontin e punës), që fshihet pas operacioneve propagandistike besuar qeverive diktatoriale të dala nga historitë më të këqija komuniste, secila me motivimet e veta të “ekspansionit”.

Dhe ndoshta, të paktën nga ana e Italisë, edhe për të rigjetur konsensusin e së majtës historike, e cila sot gjendet gjithnjë e më shumë e përzënë dhe e neveritur nga eksesi i shkëputjes së pseudo-elitës nga populli, duke joshur me aludimin e një të shkuare që asnjëherë nuk ishte e vërtetë dhe për ta shpërqëndruar nga një e tashme edhe më shumë false.

Në këtë kontekst, duket qartë sa delirante është zgjedhja e Ramës për t’u akredituar si pjesë e një grupimi të mbetjeve të diktaturave të ish-komunistëve.

Kjo ndoshta mund t’i lejojë të kënaqë mendjemadhësinë e vet prej lideri global, të rreshtohet në krah të Rusisë dhe Kinës, por në fund, kur të kalojë emocioni, kjo histori do të kujtohet si shfaqja e një idioti të dobishëm në një histori me diktatura të rrezikshme dhe dinozaurë të vjetër.

Si shqiptar dhe italian dua që dy qeveritë tona të merren me çështje të vërteta dhe jo me propagandë. Dua që qeveria italiane të mos kërkojë lëmoshë ndaj mikpritjes shqiptare për klandestinët e anijes Diccioti, ose të mjekëve (për më shumë në pjesë të madhe të formuar nga sistemi ynë universitar) për t’u punësuar përkohësisht në Lombardi.

Përkundrazi, do të doja që qeveria italiane t’i kërkonte qeverisë shqiptare të ndërmerrte një aksion efikas dhe të sinqertë kundër narkotrafikut, dhe vetë të përzinte shumë trafikantë tremujorë tashmë të bllokuar në Itali pa vizë. Do të doja që qeveria italiane të kërkonte që qeveria shqiptare ta tregonte solidaritetin e saj duke u ofruar ligjshmëri, mbrojtje dhe kushte të njëjta sipërmarrjeve italiane në Shqipëri, të cilat u sigurojnë shumë shqiptarëve bukën e përditshme me dinjitet, të cilin atyre nuk ua japin as qeveria dhe as oligarkët shqiptarë.

Dhe do të doja që në vend që të shpërdoronim fondet e bashkëpunimit, të zotoheshin sinqerisht për t’i investuar ato në projekte të vërteta, dhe jo për propagandën e zakonshme që prodhon vetëm letra dhe koktejle. Do të doja që në vend që të bëheshim bashkëpunëtorë në vjedhjen e fondeve të PPP për sterilizimin, t’i investonin paratë italiane në gjëra që me të vërtetë duhen.

Atëherë nuk do të kishim më nevojë për të marrë në moment nevoje 10 mjekë dhe 20 infermierë nga Shqipëria, pasi as ata nuk do të kishin nevojë për të mashtruar me këto artifica të kota, as në Itali dhe as në Shqipëri.

Atëherë, shumë prej miqve tanë shqiptarë në Itali dhe italianë në Shqipëri do të gjenin respektin e duhur për të krijuar një punë dinjitoze, qoftë këtu në Itali qoftë aty në Shqipëri.

Carloalberto